Kirurgu Luan Mustafa dhe anesteziologu i Spitalit të Gjilanit, Halil Basha janë arrestuar mbrëmjen e kaluar nga Policia e Kosovës.
Të dy mjekët dyshohen se kanë marrë qindra euro ryshfet për të kryer një ndërhyrje.
Gazeta Insajderi ka intervistuar qytetaren që denoncoi rastin. Ajo rrëfeu se si u kapën në flagrancë dy mjekët. Qytetarja pohoi se mjekët e arrestuar kërkuan mbi 600 euro për të kryer një intervenim te një familjare e saj.
Ajo tha për Insajderin se fillimisht, vetëm për rezervimin e terminit Luan Mustafa i kërkoi babait të saj 200 euro. Kjo me arsyetimin se askush nuk mund ta vendos në radhë për operim pacienten përpos Mustafës.
Kjo shumë u sigurua nga familja, por, më pas Mustafa i kishte kërkuar që të paguanin edhe 330 euro për disa rrjeta që i nevojiten në operim.
Hapësira ku këto rrjeta do të përdoreshin ishte vetëm 4 cm. Por, Mustafa kishte kërkuar 330 euro për ato rrjeta pavarësisht se të njëjtat në dimensionet e kërkuara në barnatore ishin vetëm 70 euro.
“Familjarja ime ka pas prej Bruhit me u operu, njëherë i ka kërku prej babait tim që me i pagu 200 euro vetëm për rezervim. 330 euro për rrjetën na e ka kërku, e kishte vetëm 4 cm atë ndërhyrje. Ky ka thënë që duhet një rrjet 330 euro me e ble. Ditën e operimit ai tha qe po ia kallxoi rrjetën që kam më ia vendos familjares tënde, sepse mendonte që nuk dimë me lexu e me shkru, e pash që rrjeta është 15×15 dhe jo 30×30. Pra na e shiti për 350 euro”, tha ajo për Insajderin.
Qytetarja tregoi mes tjerash se ajo shkoi në polici gjatë kohës kur familjarja e saj po operohej dhe e denoncoi rastin.
Reagimi i policisë sipas qytetares ishte shumë i shpejtë dhe menjëherë janë organizuar njësiti i krimeve ekonomike.
“E mendova që duhet ta paraqes, na tha pastaj që edhe 100 euro jeni të obliguar të ia jepni atij doktorit për anestezion, pra anesteziologut aty e kam ditë që duhet me raportu. Prita deri e përfundoi motra operacionin dhe ju thashë atyre që babai kur të vjen ua jep pjesën tjetër të parave. Sepse s’dojshin me e shti motrën në operacion as për qato 100 euro. Kur familjarja po operohej u detyrova me shku në polici dhe ata janë mobilizu për 10 minuta, kanë qenë shumë të shpejtë”, tha ajo tutje për Insajderin.
Në kohën kur ajo shkoi që të dorëzonte edhe 100 euro tek anesteziologu Basha, i njëjti i kishte thënë asaj që të mos jetë askush në dijeni për këtë çështje.
” I thash ja, doktor Luani më dërgoj me ti pru paret që i keni kërku, tha ami por mos të nin najkush për këtë punë se kjo e kundërligjshme është. I thash, po po mos ta nin se e di”, u shpreh tutje qytetarja.
Kjo duket të mos jetë rasti i parë ku doktorët kanë kërkuar para nga pacientët kjo pasi qytetarja e cila i denoncoi ata tha se në koridorin e spitalit kishte edhe pacientë të tjerë që ankoheshin për ta.