Vajza e gruas së moshuar që u sulmua në Pejë nga një infermiere ka folur rreth këtij rasti.
Përkundër emocioneve, Zheneta Nura tregoi gjendjen e saj psiqike pasi mësoi publikimin dhe momentin se si mori rrugë të menjëherë drejt Pejës.
Veç kësaj, ajo shtoi se automatikisht, me të arritur në qendrën “Orenda”, e kishte tërhequr nga aty.
“Nuk e di a mundem m’u shpreh. Jam e tronditur. Besoj që secili prej qytetarëve më kupton. Situata në të cilën gjendemi unë dhe familja është e paspjegueshme. Unë e vizitoj një herë ose dy herë. Kur ka ardhë xhirimi, kam qenë në orar të punës. Jemi nisë për Pejë. Nënën e kam tërheqë menjëherë prej aty. Shpresoj që drejtësia ta vendos këtë çështje. I lus institucionet gjegjëse që të merren seriozisht. Të ndodh diçka e tillë, në një vend ku paguajmë 600 euro për një muaj, ky është fundi i botës”, tha ajo në RTV Dukagjini.
“Parregullsi, joprofesionalizëm, mungesë të kujdesit e kërcënime”
Ish-menaxherja e kësaj qendre, Viola Sahatçiu po pretendon se atje ka pasur parregullsi, joprofesionalizëm, mungesë të kujdesit dhe kërcënime.
Për këtë arsye, ajo thotë se edhe u largua nga puna.
“Sot doli një përfaqësim i keqmenaxhimit dhe keqtrajtimit hierarkik në atë vend. Ato infermiere janë vetëm një reflektim i vogël”, ka deklaruar ajo.
Znj.Sahatçiu ka thënë se i është dukur absurde mbajtja e konferencës nga drejtori i qendrës, pasi që aty ka pasur edhe kamera.
“Ajo qendër është një ënderr e bukur zvicerane, me realitetin e hidhur shqiptar e cila duhet të mbyllet sa më parë”, përfundon shkrimi i saj.