Një numër i jashtëzakonshëm qytetarësh nga Kosova dhe rajoni kanë hyrë këtë të shtunë në territorin shqiptar, duke shkaktuar kolona të gjata e pritje të gjata në pikat kufitare.
Vetëm në pikën kufitare të Morinës, nga ora e mëngjesit deri në mesditë, kanë hyrë mbi 61 mijë qytetarë nga Kosova me rreth 19 mijë automjete. Si pasojë, kolonat e veturave janë shtrirë deri në thellësi të territorit të Kosovës.
Fluks i madh është raportuar edhe në jug të Shqipërisë, ku në pikën kufitare të Kakavijës janë përpunuar mbi 11 mijë shtetas, nga të cilët 7 mijë vetëm në hyrje. Po ashtu, janë regjistruar rreth 3 mijë automjete. Autoritetet shqiptare kanë punuar me 6 sportele, ndërsa pala greke me vetëm 4.
Edhe pikat kufitare në veri të vendit, Muriqan dhe Hani i Hotit, kanë përballuar ngarkesë të madhe, me mbi 32 mijë shtetas të përpunuar – 14 mijë prej tyre në hyrje – dhe 11 mijë automjete gjithsej.