Zhvillimet e fundit politike në vend, kanë bërë që partitë të intensifikojnë takimet e brendshme.
Një ditë pas mbledhjes së Kryesisë së PDK-së, ku u bë e ditur dorëheqja e Memli Krasniqit, sot pritet të mbajë të njëjtën mbledhje edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Siç mëson Telegrafin nga burime brenda AAK-së, në këtë mbledhje e cila është paraparë të nisë në orën 17:00, do të marrin pjesë edhe kryetarët e degëve të partisë.
Sipas të njëjtave burime në këtë mbledhje do të diskutohen zhvillimet e fundit politike në vend, në një periudhë kur kanë mbetur pak ditë deri në thirrjen e seancës për votimin e mundshëm të Glauk Konjufcës si mandatar për formimin e Qeverisë, pas mandatimit nga presidentja Vjosa Osmani.
Po ashtu, pritet që pjesë e diskutimeve të jenë edhe përgatitjet e Aleancës në rast të mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
Kujtojmë se në zgjedhjet komunale të mbajtura së fundmi, AAK konfirmoi fuqinë politike duke ruajtur 5 komunat ku kishte qeverisur deri tani.
Partia e Ramush Haradinajt do të jetë pjesë e bashkëqeverisjes në mbi 10 komuna të tjera, ndërkaq do të përfaqësohet në asambletë komunale me 98 asambleistë, duke marrë mbi 87 mijë vota. /Telegrafi









