Në Novobërdë është formuar Lëvizja për Bashkimin e Qytetarëve, një forcë e re politike që synon unitetin kombëtar dhe përfaqësimin dinjitoz të shqiptarëve.
Në komunikatën e saj të parë, kjo parti u ka bërë thirrje publike të gjitha subjekteve politike shqiptare në komunë LDK, LVV, PDK dhe AAK, që të bashkohen rreth një kandidature të vetme për zgjedhjet lokale të vitit 2025, duke vënë interesin e përbashkët mbi atë partiak.
Komunikata e plotë:
Të nderuar qytetarë,
Lëvizja për Bashkimin e Qytetarëve, si një forcë e re politike me vizion të qartë për unitet kombëtar dhe përfaqësim dinjitoz të shqiptarëve, bën thirrje publike për të gjitha partitë shqiptare që veprojnë në komunën e Novobërdës si, LDK, LVV, PDK dhe AAK të bashkohemi rreth një kandidature të vetme shqiptare në zgjedhjet lokale 2025.
Koha e ndarjeve duhet të marrë fund. Është momenti i bashkimit dhe i bashkërendimit të energjive tona politike e shoqërore për të garantuar një përfaqësim të fuqishëm, të pakontestueshëm dhe të denjë për të gjithë qytetarët shqiptarë.
Vetëm të bashkuar mund të jemi më të fortë dhe më të zëshëm për të drejtat tona, për të ardhmen tonë dhe për zhvillimin e përbashkët të vendit tonë.
Ftojmë të gjitha partitë shqiptare në tryezë të përbashkët bashkëpunimi, ku mbi interesat partiake të vendoset interesi i përbashkët për shqiptarët.