Pas shumë kohë dhe përkushtim, finalizimi i këtij projekti sot përbën një ngjarje të jashtëzakonshme për mua. Shpresoj që ndikimi i këtij libri të jetë po kaq i madh te lexuesit e pasionuar të fotografisë.
Ambicia ime për këtë projekt u nxit nga aftësimi im në artin e fotografisë dhe sukseset e arritura, për çka menjëherë mendova të ndaj njohuritë e mia me të tjerët. Në historikun e komunikimeve në internet kam gjetur se këtë projekt e kisha filluar para 7 vitesh, duke punuar vazhdimisht për të shtrirë dhe shpjeguar aspektet kryesore të mjeshtërisë së fotografisë.
Një fokus i veçantë i është kushtuar materializimit të këtij aftësimi, me leksione për ta kthyer atë nga pasioni në biznes, duke dhënë një motiv dhe orientim bazë për një biznes start-up. Fundja, të gjithë aftësohemi për një punë, dhe më e mira është kur ajo lidhet me pasionin.
Ky do të jetë një libër për një fotograf të ardhshëm.
Si autor, shpreh mirënjohje dhe falënderime të pafundme për të gjithë që ishin pjesë e këtij projekti. Shpresoj të kemi bërë një punë të madhe për të cilën do të falënderohemi nga lexuesit, të cilëve u dedikohet ky libër.
Ndërsa unë po falënderoj ata me të cilët e ndava këtë punë në këto shtatë vite:
Falënderoj shumë, më të largëtit me distancë, të cilët nuk i kam takuar asnjeherë, qiftin Engel dhe Amanda Jones (selfpublisheasily.com) nga Trinidad dhe Tobago, të cilet kanë bërë punën e tyre të rëndësishme në editimin e përmbajtjes. Gjithashtu, falënderime për Graphic Design Masters për dizajnin e kopertinës dhe radhitjen.
Aurita Kqiku, Anel Berisha dhe Arian Bunjaku për imazhet. Arlind Bllaca, Burim Baftiu dhe Ention Morina për organizimin e materialit dhe Resort PLANETI në Gjilan për ofrimin e hapësirave për fotografi.
Ndërsa, sic kam sugjeruar si shumë të rëndësishme në një nga kapitujt e librit, bashkëpunimin me kolegët, falënderoj fotografët e njohur Arian Mavriqi, Bleron Çaka, Meriton Dajakaj dhe Granit Hysenin, për ofrimin në dispozicion të fotografive të tyre për të ilustruar disa nga temat e shpjeguara në këtë libër.
Në fund të këtij falënderimi, mirënjohje për familjen time për suportin, me premtimin se pas këtij projekti do të kem pak më shumë kohë për ta.
Love you all.