Natyra është mbuluar krejtësisht nga gjelbërimi. Ua ka zënë derën shtëpive të vjetra pa njerëz. Ashtu ndodhë kur vjen pranvera, aromën e luleve, në mbretërinë e gjelbërimit e burimet e ujit, i shijojnë vetëm zogjtë që kthehen me diellin pas dimrit.
Nga: Irfan MALIQI
Edhe dje sikur sot, kishin thyer heshtjen trishtuese me plotë gjurmë jete që ka lënë e kaluara. I rrethuar me bjeshkë në të gjitha anët, me një peizazh mahnitës mes pyjeve, ajër të freskët, Mjaki i Vitisë, është i braktisur nga banorët që prej përfundimit të luftës.
Për shkak të fatit historik dhe mjedisit natyror që e rrethon, Mjaku është ndoshta një nga fshatrat më të bukura të braktisura në Kosovë.
Ky vend, 12 kilometra larg qytetit të Vitisë, me ujë e me tokë të bereqetshme megjithatë mbeti i shkretë dhe pa zhvillimin që e kërkonte.
Mungesa e rrugës e vështirësoi deri në izolim jetën aq sa mjakasit u detyruan të braktisin këto vise. Rruga që të çon në fshat është e pakalueshme sa që të ecësh nëpër male mbase është më lehtë të arrish atje lartë. Mungesa e rrugës ua këputi shpresat mjakasve për zhvillimin e jetës.
Shtëpitë e këtij fshati që duket si fantazmë, që gjendet në thellësi të maleve në brezin kufitar me Maqedoninë e Veriut, prej gati 20 vjetësh janë të braktisura. Ato mure kanë mbetur si artefakt i jetesës së dikurshme në fshat.
Prej këtij fati nuk e shpëtuan dot ata që e mbajnë ende gjallë frymëmarrjen e kësaj toke të harruar nga shteti. Banorët e shpërngulur për shkak të kushteve të vështira në këtë vend malor shpesh vijnë në këto vise për vizitë e për punë në tokat e tyre bujqësore, me shpresë se jeta që u ndal diku, do të rikthehet një ditë.
Ajo që e pamundëson kthimin e banorëve në fshat, ashtu siç duan, pos rrugës së paasfaltuar, është edhe mungesa e rrymës. Qe 20 vjet janë pa rrymë e kë e zë nata aty do t’i shpëtoj errësirës me llampa vajguri. Kabllot u vodhën, shtyllat pa tela të rrymës, dritën e sjellë vetëm mëngjesi, dielli që lind përditë.
Mjaku dhe institucionet- 20 vjet pritje!
Kjo është pjesa e cila më shumë i mundon mjakasit, ajo që i ka zhgënjyer më së shumti. Është e vështirë të bindësh dikë që të paramendoj jetën e tij pa rrymë, pa shërbime publike, pa shkollë, pa infrastrukturë, pa qasje në informacion e internet.
Mjakasit e Anamoravës, duan përkrahjen e komunës e të qeverisë për të gjitha këto. Ato u janë mohuar pa të drejtë nga institucionet. Këto të fundit nuk i sollën në Mjak.
Për autoritetet ky vend është harruar çka bën që banorët të përballen me një realitet të hidhur. Shumë qeveri lokale e qendrore kanë shkuar, e kanë ardhur, por gjendja e këtij fshati mbetet e njëjtë, i pabanuar, i pasur me shumë resurse por i pazhvilluar. Resurset e shumta dhe bukuritë e natyrës nuk u shfrytëzuan për investime. Konsiderohet si një zonë tërheqëse për zhvillimin e turizmit malor dhe jo vetëm.
Premtimet për një rrugë të re për fshatin, apo ndonjë ndihmë tjetër për të rregulluar shtëpitë e djegura gjatë luftës, nuk u realizuan asnjëherë.
Dikur banorë të këtij fshati që jetonin nga bujqësia, e tani të shpërndarë në pjesë të ndryshme të Kosovës e disa në Shkup, shprehen të gatshëm të gjallërojnë me jetë njerëzish këto vende. Ka ende banorë, që përpiqen të sfidojnë harresën në një fshat, që historinë e ka pjesë të tijën, që shpresojnë, pasi deri më sot vëmendja e shtetit i ka lënë tërësisht mënjanë si askënd tjetër në vend.
Sado që dikush mundohet ta shuaj, bëhet edhe më i gjallë, mjakasit i gjen të bashkuar për vendlindjen që s’e harrojnë pavarësisht pse institucionet e vendit kanë rënë në gjumë të thellë.
Pamje: