Velegllava, njëri ndër fshatrat e pjesës verilindore të komunës së Kamenicës, dikur kishte rreth 30 shtëpi, por pas viteve të ’70-ta fshati pothuajse u boshatis tërësisht.
Tashmë Velegllava i ka vetëm dy shtëpi. Braktisja e fshatit nga banorët ndodhi për shkak të mungesës së kushteve për jetesë dhe siç thonë ata, edhe për shkak të rrezikut që u vinte nga Serbia.
Velegllava kufizohet me katër komuna që gjenden në Serbi, njëra prej tyre me shumicë shqiptare: Bujanoci, Medvegja, Lebana dhe Vranja.
Ata që janë duke jetuar në Velegllavë mbijetesën e sigurojnë përmes bujqësisë, por edhe në këtë vit ata përpos shkollës nuk kanë as qendër mjekësore. Qendra mjekësore më e afërt është në fshatin Roganë të Kamenicës, mbi 20 kilometra larg.