Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka pritur sot në vizitë zyrtare Presidenten e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu.
Gjatë vizitës, Presidentja Osmani mori pjesë në një brifing informues të njësisë së Operacioneve Speciale të FSK-së, ku u prezantuan qëllimi, objektivat dhe zhvillimet e fundit të kësaj njësie elitare. Po ashtu, u diskutua mbi avancimet profesionale dhe ngritjen e kapaciteteve të saj.
Pas prezantimit, Presidentja Osmani dhe Gjeneral Jashari ndoqën nga afër një demonstrim praktik të skenarëve operativë, ku pjesëtarët e njësisë treguan nivel të lartë profesionalizmi, përgatitjeje dhe koordinimi.
Në përfundim të vizitës, Presidentja dhe Komandanti i FSK-së u shprehën të kënaqur me të arriturat e përgjithshme të Forcës, duke vlerësuar në veçanti progresin e njësisë së Operacioneve Speciale.
Presidentja Osmani drekoi me pjesëtaret femra të FSK-së, ku vlerësoi lart kontributin e tyre në zhvillimin e kapaciteteve të Forcës, si dhe rolin e tyre në promovimin e barazisë gjinore dhe shërbimin ndaj vendit.
Sipas njoftimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës , kjo vizitë u zhvillua në kuadër të mbështetjes institucionale për zhvillimin dhe profesionalizimin e ushtrisë së Kosovës.

			








