Në kuadër të fillimit të manifestimit Flaka e Janarit 2020, kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, së bashku me komandantin e Stacionit të Policisë, Alban Ramushi dhe drejtorin e KRU Hidromorava, Muhamet Suliqi, kanë vizituar Legjionin e Parë të FSK’së në Gjilan, ku janë pritur nga zëvendëskomandanti, Kadri Berisha.
Me këtë rast, nga zëvendëskomandanti, Kadri Berisha, ka thënë se ndihet krenar me bashkëpunimin që e ka me Komunën e Gjilanit.
“Neve na vjen mirë për vizitën tuaj dhe jemi krenarë dhe të privilegjuar që kemi ndërtuar këto raporte të bashkëpunimit me Komunën e Gjilanit. Si zëvendëskomandant i Legjionit të Parë, jam i interesuar që bashkëpunimi të thellohet edhe më shumë. Ju dëshirojmë suksese në aktivitetet që i keni në kuadër të “Flakës…”. Lavdi e përjetshme jetës dhe veprës së dëshmroëve të kombit”, ka thënë Berisha.
Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, e ka falënderuar zëvendëskomandantin Berisha për pritjen, ndërkaq ka thënë se tash e 29 vite po i nderojnë dëshmorët e heronjtë përmes vlerave kulturore.
“Për ne, 11 janari shënon rënien e Rexhep Malës e Nuhi Berishës në Kodrën e Trimave në Prishtinë. Ne jemi trashëgues të kësaj sacrifice dhe kryengritje që ka kulmuar në vitin 1998-1999. Është viti i 29-të që po e organizojmë Flakën e Janarit dhe jemi munduar që çdo vit t’i respektojmë e nderojmë maksimalisht familjet e dëshmorëve, duke i nderuar dëshmorët”, ka thënë Haziri.
Ndryshe, me ndezjen e Flakadanit sonte në ora 17:00, hapët edhe zyrtarisht edicioni i 29-të i manifestimit mbarëkombëtar Flaka e Janarit 2020.