Lajme aspak të mira nga infermieria për SC Gjilanin që humbet një tjetër futbollistë të rëndësishëm. Gazeta SHESHI merr vesh që mbrojtësi Oltion Rapa me shumë mundësi e ka humbur stinorin pas lëndimit të pësuar javën e shkuar në duel me KF Dukagjinin.
Rapa lëndoi ligamentet e këmbës së majtë në një duel me Labinot Jashanicën në minutën e dhjetë të ndeshjes, teksa u detyrua ta braktisë fushën e lojës.
30 vjeçari nga Tepelena do të futet në operim gjatë javës së ardhshme, derisa pritet të mungojë nga 6 deri në 8 muaj.
Rapa bëhet futbollisti i dytë që humbet sezonin te gjilanasit, pasi që më parë edhe Ylli Shameti u detyrua të futet në sallën e operacionit për shkak të lëndimit, ndërkohë që rikthimi tij në fushat e blerta pritet të bëhet tek vitin tjetër.
Për shkak të lëndimit jashtë fushave ndodhet edhe mesfushori Kushtrim Shabani, duke e dërguar në tre kështu numrin e titullarëve që po mjekohen dhe nuk janë në dispozicion të Gentjan Mezanit.
Gjilani të premten zhvillon ndeshjen e javës së dhjetë kampionale ndaj KF Feronikelit në “Rexhep Rexhepi” të Drenasit.