Shkruan: Nazim Gagica
Dështimi nga mosrealizimi i buxhetit për investime kapitale ka prekur secilën komunë të Kosovës e veçmas atë të Gjilanit.
Realizimi i vetëm 15% të buxhetit për investime kapitale, jo vetëm që e bënë Gjilanin mjedis të papërfillshëm nga institucionet qendrore, por dëshmon edhe për paaftësi administruese, menaxheriale e profesionale.
Kjo, përveç tjerash, është edhe një tregues se pse Gjilani ka mbetur i izoluar nga projektet kapitale në domenin e institucioneve qendrore.
Magjistralet Gjilan – Prishtinë dhe Gjilan – Ferizaj, janë shndërruar në ‘rrugë të vdekjeve’, në të cilat nuk ka një ditë të vetme ku nuk ndodhin aksidente, jo rrall herë edhe me fatalitet.
Me te drejt pyesim;
Çka po ndodh me Autostradën Prishtinë-Gjilan-Dheu i Bardhë?
Çka po ndodh me zgjerimin e rrugës nga Gjilani deri tek Bunari i Përlepnicës?
Çka realisht po ndodh me stadiumin e qytetit, i cili është shndërruar në një pellg të vërtetë?
Çka po ndodh me ujin e pijshëm?
Impianti i ujrave të zeza?
Çka me rrugët në qytet e në fshatra?
……
Keto dhe shumë pyetje të tjera që lidhen me jetën e qytetarëve të Gjilanit, përgjegjet e të cilave i gjejmë tek sjellja e qeverisë së vendit dhe asaj lokale ku strategjitë dhe politikat ekonomike u zëvendësuan me mashtrime optike dhe popullizëm elektoral ekonomik, e menaxhimi i financave publike u shndërrua në demagogji financiare.
Për një gjë jam shumë i sigurt; as nuk ka pasur dhe as nuk do të ndodhin investime kapitale sikur në kohën e qeverisë Haradinaj ku mbeshtetja financiare për projektet kapitale të Gjilanit ishin rreth 170 milion. Projektet që kanë përfunduar, që patën nis e janë ndërprerë, edhe disa që nuk kanë nis ende, janë meritë kryekëput e kryeministrit Haradinaj.
Qytetarët e Gjilanit nuk e meritojnë një trajtim të këtillë. Ata kanë besuar se vërtetë do të ndodh ndryshimi, por tanimë e kanë kuptuar se janë mashtruar dhe kjo e keqe që po i ndodh vendit sot, është kosto që po e paguajmë bashkë e do ta paguajmë po ashtu bashkë.
Bashkëatdhetarët tanë, ata të cilët e mbajtën gjallë Kosovën në secilën rrethanë të historisë sonë, e që vazhdojnë tutje të na mbajnë gjallë, erdhën në pluhur dhe shkuan nëpër pluhur, ndërsa pushimet i kaluan në kolona të gjata e në eksperimente nëpër qytet.
Thjeshtë, Gjilani më së paku e ka merituar të trajtohet kështu.