Drejtori i DKA-së në Gjilan, Nazim Gagcia përmes një postimi në facebook, ka treguar se pas anulimit të testit të arritshmërisë për klasat e nënta, tregon se cilat kushte duhet ti plotësojnë nxënësit për regjistrimin e klasës së dhjetë shkruan Radio Star.
Postimi i plotë:
Të dashur nxënës
Të nderuar prindër, mësimdhënës dhe struktura drejtuese arsimore.
Pas anulimit të Testit të Arritshmërisë për klasat e nënta, ju njoftojmë për kushtet, kriteret dhe afatet e regjistrimit të nxënësve në klasën e 10-të, për vitin shkollorë 2020-2021.
Bazuar në Udhëzimin Administrativ dhe sipas Kornizës së Kurikulit të Arsimit Parauniversitar të Republikës së Kosovës, për regjistrim në klasën e 10-të në gjimnaze dhe shkolla profesionale për vitin shkollor 2020/2021, mund të konkurrojnë kandidatët të cilët e kanë mbaruar arsimin e obligueshëm dhe nuk janë më të vjetër se 17 vjeç.
Nxënësit të cilët e kanë mbaruar klasën e 9-të jashtë Kosovës obligohen të bëjnë njohjen e certifikatave apo deftesave në MASH dhe pastaj të konkurrojnë për regjistrim.
Dokumentet e nevojshme për konkurrim:
Për regjistrim në gjimnaze dhe shkolla profesionale nxënësit duhet të paraqesin këto dokumente:
1, Fletëparaqitjen e cila merret në shkollën n ëtë cilin konkurron;
2.Dëftesën origjinale për kryerjen e shkollës së mesme të ulët (6-9) dhe
3. Certifikatën e lindjes.
Afati i paraqitjes së dokumenteve:
Paraqitja e dokumenteve për gjimnaze dhe shkolla profesionale për vitin shkollor 2020/2021 bëhet me datën 17-21 gusht 2020, në lokalet e shkollës amë ku nxënësi dëshiron të regjistrohet, duke filluar në orën 08:00-16:00.
Kriteret për regjistrim në klasën e 10-të:
Nxënësi që konkurron për t’u regjistruar në klasën e 10-të duhet t’i plotësojë këto kritere: nota mesatare e të gjitha lëndëve (klasa 6-9) 60 pikë, nota mesatare nga lëndët prioritare (klasa 6-9) 40 pikë.
Publikimi i rezultateve për pranimin e nxënësve:
24 gusht 2020 (në shkollat ku plotësohet numri);
28 gusht 2020 (në shkollat ku nuk plotësohet numri i nxënësve dhe vazhdon konkurrimi);
Kthimi i dokumenteve për nxënësit, të cilët nuk janë pranuar, do të bëhet prej 24-31 gusht 2020.
Suksese!