“Betimi për Drejtësi” ka siguruar vendimin e plotë të Gjykatës Themelore në Prishtinë, përmes të cilit iu caktua një muaj paraburgim ish-deputetit Gani Geci nën dyshimin për kanosjen e gazetarit Lirim Mehmetaj.
Sipas vendimit, Geci në seancë dëgjimore ka deklaruar se nuk arratiset, se dëshmitar i rastit është vetëm babai i Mehmetajt, dhe se nuk ka kanosur askënd por ka kërkuar mbrojtje të familjes së tij, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“….prokuroria është marrë vetëm me prova fajësuese dhe nuk ka marrë parasysh provat fajësuese. Po ashtu ka shtuar se nuk do të arratisem pasi nuk jam arratisur asnjëherë. Sa i përket rrezikut në dëshmitar, ka shtuar se në këtë rast, dëshmitar është vetëm babai i të dëmtuarit dhe se nuk ka si të ndikojë tek ai. Sa i përket rrezikut të përsëritjes ka shtuar se unë vetëm kam kërkuar të mbrohet familja ime dhe se nuk kam kanosur askënd”, citohet Geci në vendimin e marrë nga gjyqtari i procedurës paraprake, Albert Haliti.
Paraprakisht, sipas vendimit, prokurori rastit- Blerim Igrishta ka deklaruar se qëndron në tërësi pranë kërkesës për caktim të masës së paraburgimit.
Në anën tjetër, mbrojtësi i Gecit, avokati Besnik Berisha, thuhet se ka kundërshtuar kërkesën për caktim të paraburgimit, duke pretenduar se nuk ekzistojnë kushtet ligjore.
Për dyshimet lidhur me kanosjen e Mehmetajn, Berisha i ka quajtur veprimet e Gecit si qëllim që të mbrohet familja e tij, pasi që i dëmtuar nga fjalët e Mehmetajt ka qenë nipi tij (deputeti Fatos Geci) që ka qenë i ndërlidhur nga Mehmetaj me Beogradin.
Sipas avokatit Berisha, nuk ka ekzistuar qëllimi që të kanoset Mehmetaj dhe se gjithashtu, sipas tij, nuk ekziston rreziku për ndikim në prova pasi që kamerat kanë qenë jofunksionale dhe se nuk ka dëshmitarë të tjerë për pretendimet e të dëmtuarit Mehmetaj.
Lidhur me rrezikun për përsëritje të veprës, avokati ka shtuar se nuk ekziston ky rrezik pasi që nuk ka kronologji të ngjarjes që Geci të nxirret si agresori pasi që nuk ishte në pritë, nuk ishte në befasi dhe as nuk ishte tinzar, por se kishte kërkesa për secilin qytetar që të mos nxitë Mehmetaj urrejtje dhe përçarje që mund t’i kushtojë me jetë, siç i ka kushtuar në vitin 2001.
Gjetjet e Gjykatës:
Në vendimin për caktimin e paraburgimit, Gjykata gjeti se është plotësuar kushti i dyshimit të bazuar mirë se i dyshuari Geci ka kryer veprën penale të kanosjes dhe se kjo vërtetohet nga provat e siguruara që i janë bashkëngjitur kërkesës për caktim të paraburgimit.
Sipas vendimit, nga deklarat- e të dëmtuarit Mehmetaj janë cituar fjalët që i dyshuari ia ka drejtuar atij: “Nëse nuk e hek postimin ose nuk e ndryshon, kena me u vra” , si dhe “Pash një Zot, mos na merr në qafë, ndërro postimin se na duhet me u vra”.
Më tej, sipas Themelores, veprimi Gecit në Tik-Tok menjëherë të nesërmen derisa i dëmtuari Mehmetaj ishte në emision “Debat Plus”, përmes këtij rrjeti social për t’i bërë me dije të dëmtuarit se ndodhej aty, kishte pritur rreth dy orë që nga studio të dilte Mehmetaj.
Nga mesazhet në Facebook, Gjykata gjeti se Geci ka komunikuar me Mehmetajn, duke i kërkuar që të largohet postimi që lidhet me Fatos Gecin, por që Mehmetaj ka refuzuar.
Më tej, thuhet se nga vetë deklarimi i Gecit, Gjykata ka ardhë në përfundimin se janë zhvilluar bisedat në Facebook, pastaj në zyrat e “VOX Kosova” dhe se i dyshuari ishte takuar me babanë e Mehmetajt.
Më tej, në vendim thuhet se nga publikimet në rrejtet sociale pas ngjarjes, Gjykata ka vërtetuar se Geci ka shkuar para televizionit ku ka qenë i dëmtuari Mehmetaj duke e publikuar veprimin e tij në Tik-Tok.
Më tej, Gjykata i ka vlerësuar veprimet e Gecit si mjet presioni për ta detyruar të dëmtuarin të veprojë sipas kërkesës së tij.
“Këto fjalë, të vlerësuara në kontekstin në të cilin janë përdorur, tregojnë se kanosja të jetë shfrytëzuar si mjet presioni për ta detyruar të dëmtuarin të veprojë sipas kërkesës së të pandehuri”, thuhet në vendim.
Po ashtu, në vendim theksohet se Gjykata me rastin e caktimit të paraburigmit i ka kushtuar rëndësi veprimit kur Geci ka shkuar para televizonit “Dukagjini” që të priste të dëmtuarin Mehmetaj.
“Për rrjedhojë, Gjykata vlerëson se nëse lihet në liri pa masa të përshtatshme parandaluese, i pandehuri të tentojë të kontaktojë sërish të dëmtuarin, të ushtrojë presion të mëtejshëm ndaj tij përmes kanosjeve ose të ndërmarrë veprime për realizimin e kanosjes së pretenduar”, thuhet në vendim.
Pretendimet e Prokurorisë për mundësi arratisjeje, Gjykata ka gjetur nuk janë të mjaftueshme rrethanat që janë cekur në kërkesën për paraburigmi.
“Rreziku i arratisjes nuk mund të prezumohet vetëm nga pesha e veprës penale ose lartësia e dënimit të paraparë, por duhet të argumentohet përmes rrethanave objektive që lidhen me personin e të pandehurit dhe sjelljen e tij konkrete”, theksohet në vendim.
Gjithashtu, Gjykata konstatoi se nuk ekziston as rreziku për ndikim në prova.
“Për të arsyetuar këtë rrezik, nuk mjafton fakti se procedura penale ndodhet në fazën e hershme dhe se ende duhet të merren deklaratat e personave që mund të kenë dijeni për ngjarjen, por është e nevojshme që kjo mundësi të mbështetet në rrethana konkrete dhe objektive që krijojnë dyshimin e arsyeshëm se i pandehuri mund të ndërmarrë veprime për të ndikuar në përmbajtjen e deklarimeve të tyre”, thuhet në vendim.
Gjykata ka theksuar në vendim se masat tjera janë të pamjaftueshme për ta evituar rrezikun e përsëritjes së veprës penale ose të kryerjes së veprës me të cilën pretendohet se është kanosur i dëmtuari.
Gjykata vlerëson se meqenëse konflikti mes të dëmtuarit Mehmetaj dhe dyshuarit Geci nuk është zgjidhur, ekziston mundësia e vazhdimit të presionit ndaj Mehmetajt nga Geci.
Gjykata Themelore vlerëson se masa e arrestit shtëpiak nuk mund të caktohet në rastin konkret, pasi që Geci kishte zhvilluar komunikim elektronik me Mehmetajn, kështu që presioni ndaj këtij të fundit mund të vazhdojë edhe pa kontakt të drejtpërdrejtë.
Në fund, Gjykata ka njohur të drejtën në ankesë në afat prej 48 orësh në Gjykatën e Apelit.
Më herët, “Betimi për Drejtësi” raportoi për përmbajtjen e kërkesës së Prokurorisë për caktim të paraburgimit.
Gani Geci dyshohet se ka kryer veprën penale “Kanosja” nga neni 181, paragrafi 2 i Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi










