Përfaqësuesi i gastronomeve të vendit, Labinot Ademi ka treguar se të hënën në orën 12:00 do të mbajnë një protestë para ndërtesës së Qeverisë, si pasojë e masave të ndërmarra për shkak të pandemisë COVID-19, si dhe mos dhënia e ndihmës ekonomike.
Ademi ka thënë se këtë e kanë vendosur në një takim që e patën me të gjithë përfaqësuesit e gastronomeve të qyteteve të Kosovës.
Ai u shpreh se nga masat e ndërmarra është vështirësuar puna e bizneseve.
Ai theksoi se Qeveria duhet të ndërmarr masa që të ndihmohen bizneset, pasi siç potencoi ai shumë sosh kanë rënë në krizë.
“Jemi duke i respektuar maksimalisht masat e ndërmarra nga Qeveria. Kërkesat tona janë që të na ndihmojnë me këto masa që janë ndërmarr, sepse po punojmë rreth 40 për qind të kapacitetit. Punëtoret po i paguajmë njëjtë, edhe pse po punojmë deri në orën 21:00, tavolina kemi sasi më pak, edhe qarkullimi ka rënë. Të paktën mos t’i ndalojnë subvencionet e punëtorëve prej 170 euro, edhe ulja e tatimit në fitim, si dhe buxheti i paraparë për biznese që kurrë s’është bërë. E kemi pasur një konferencë për media, e di që janë krejt në hall ky është një problem global, por të paktën mos të shuhen bizneset se shumë sosh kanë rënë në krizë. Ne kemi nevojë për një ndihmë të tyre. Të hënën e kemi një protestë para Qeverisë në orën 12:00. Ka pasur shumë propozime dhe shumë ide që duhet të ndihmohen bizneset, por asnjë hap nuk është marr. Të hënën kemi pasur takim me përfaqësuesit e krejt qyteteve dhe është shumë problem të mbijetojmë. Të paktën për ndihmë, si për ulje të tatimit, që të ngjallen bizneset që i kemi. Nuk d.m.th. patjetër të na ndihmojnë me kesh (para), por ka edhe masa tjera të ndihmës”, ka thënë përfaqësuesi i gastronomeve të Kosovës, Labinot Ademi. /Telegrafi/