Oda e Hotelierisë dhe Turzimit ka reaguar për masat e reja anti-COVID dhe ka thënë se janë marrë pa konsultim me shoqatat që i përfaqësojnë bizneset.
Në një komunikatë për media u tha se për sektorin e hotelierisë dhe gastronomisë nuk ka pasur kurrë lirim të masave, duke i quajtur të padrejta edhe këto të reja që kanë hyrë në fuqi sot.
“Masat asnjëherë nuk janë lehtësuar për sektorin e hotelierisë dhe gastronomisë, kufizimet për këto sektorë kanë qenë gjithmonë prezente, nuk u është lejuar të punojnë me kapacitete të plota, janë përballur me masa të rrepta dhe me dënime të shumta të paarsyeshme. Si çdoherë, edhe kësaj here masat e reja janë marrë pa asnjë konsultim me organizatat apo shoqatat që përfaqësojnë bizneset, e këto masa si zakonisht i kemi kuptuar vetëm përmes rrjeteve sociale apo mediave tona”, thuhet në komunikatë.
Oda ka thënë se nuk kanë qenë vatër e infeksioneve.
“Dhe me këtë viem në përfundim që hotelieria/gastronomia nuk ka qenë dhe nuk është vatër e infeksioneve”.
Thuhet se si sektor është më i dëmtuari dhe më të pambështeturit nga institucionet, ndërsa përmendi shtrenjtimin e rrymës që ka shtuar vështirësitë për bizneset.
“Kjo për shkak se vetëm është rritur çmimi i energjisë elektrike dhe nuk është bërë asnjë lehtësim për bizneset, asnjë subvencionim e as ndonjë rritje page ndaj punëtorëve”.
E për rritjen e rasteve me COVID-19, Oda fajëson Qeverinë e Kosovës.
“Për mos ta zgjatur shumë rritja e rasteve të të infektuarve është një fatkeqësi, dhe krejt kjo po ndodh falë neglizhencës së Qeverisë si ndaj shëndetit publik ashtu edhe ndaj shëndetit ekonomik”.
Oda ka bërë thirrje që institucionet të konsultohen me bizneset para marrjes së vendimeve për masa.