Deri në 40% të atyre që ishin të punësuar në sektorin e gastronomisë janë larguar nga puna si pasojë e pandemisë.
Nënkryetari i Shoqatës së Gastronomëve të Kosovës Veton Zuka, në një intervistë për Ekonomia Online, ka thënë se janë 13 mijë punëtorë të punësuar në gastronomi dhe se cdo ditë po humbin vende të punës.
Sipas tij, kanë arritur në një gjendje të rëndë e të pamenaxhueshme.
“Objektivisht jemi diku 13 mijë punëtorë të punësuar në gastronomi dhe në anën tjetër janë 30 mijë dhe kemi një rënie dhe një largim të punëtorëve nga puna diku në 40 për qind përgjithësi të gastronomisë në Kosovë. Është gjendje shumë e keqe edhe për punëtorët dhe njëkohësisht edhe për bizneset”.
Sipas, Zukës zgjidhja e vetme për mbijetesë janë subvencionimi i pagave dhe qirave, ndryshe gastronomia do të futet në kolaps total.
“Zgjidhja për mbijetesë është vetëm kërkesat që i kemi, subvencionimi i pagave, për qiratë dhe ndihmesa e shtetit për interesat të bankave dhe rrjedhimisht për t’i hequr bizneset prej gastronomisë prej vijave të kuqe të bankave”.
“Përndryshe vetëm kjo mund të jetë një ndihmesë e një mbijetese të bizneseve. Përndryshe gastronomia ka me qenë në kolaps total”.
Nga e premtja kanq hy në fuqi masat e reja të marra nga Qeveria, ku qytetet janë ndarë në tri zona.
Zona e kuqe-rrezik i lartë: Komunat me rrezik të lartë të infeksionit janë ato që kanë mbi 150 persona të infektuar në 100.000 brenda javës. Këtu janë komuna e Prishtinës, Podujevës, Ferizajt, Gjakovës, Gjilanit, Pejës, Mitrovicës, Fushë Kosovës, Shtime dhe Obliliqit.
Në këto komuna, kryeministri tha se i kanë marrë dy veprime: Nga ora 19:00 mbyllet çdo aktivitet ekonomik dhe vendoset kufizim i plotë i lëvizjes së qytetarëve, do të ketë orë policore në këto komuna dhe ndalohen hyrjet daljet në këto komuna deri në ora 05:00.
Zona e gjelbër-rrezik i ulët: Në këtë zonë hyjnë komunat me rrezik të ulët të infeksionit, që kanë 1 deri në 75 persona të infektuar në 100.000 banorë brenda javës.
Në komunat që hyjnë në këtë zonë me rrezik më të ulët të përhapjes së koronavirusit, operatorët ekonomikë do të lejohen të punojnë nga ora 05:00 deri në orën 20:00.
Në këtë zonë hyjnë komuna e Istogut, Malishevës, Rahovecit, Skenderajt, Dragashit, Mamushës dhe Junikut.
Transporti publik në këto komuna do të lejohet të punojë deri në 50 për qind të kapaciteteve.
Qendrat tregtare në këto komuna do të mund të punojnë nga ora 5 e mëngjesit deri në orën 20. Veprimtaria e hotelerisë dhe gastronomisë ndalohet pas orës 20:00, përveç shërbimit” merre me vete” dhe “porosi me dërgesë”.
Zona e portokalltë-rrezik mesatar: Komunat me rrezik të mesëm të infeksionit janë ato që kanë prej 76 deri në 149 persona të infektuar në 100.000 banorë brenda javës. Komunat të cilat bëjnë pjesë në zonën e portokalltë, operatorët ekonomikë lejohen të punojnë nga ora 05:00 deri në orën 18:00.
Shërbimet e hotelerisë dhe gastronomisë lejohen të punojnë nga ora 05:00 deri në ora 18:00, pas orës 18:00 punojnë me shërbim “merr me vete” dhe “porosi me dërgesë”.
Qendrat tregtare lejohen të punojnë prej orës 05:00 deri në ora 18:00.