Bizneset në gastronomi
Petrit Kllokoqi kryetar i Shoqatës së Gastronomeve të Kosovës ka thënë se pasojat e mospunës së gastronomisë në muajt e verës, do të ndihen gjatë muajve tjerë të vitit.
Ai ka shtuar se dimrit varfëria do të thellohet dhe gjendja do të jetë alarmante.
Kllokoqi në Interaktiv të KTV-së ka thënë se nuk thërrasin protesta siç kanë bërë vendet e rajonit, porse ka shtuar se bizneset nuk po e shohin të arsyeshme t’i paguajnë taksat ndaj shtetit.
Sipas tij, Oda Ekonomike në vazhdimësi ka pasur takime me Qeverinë porse ende nuk ka ndonjë hap konkret në realizimin e kërkesave të tyre.
“Pata një takim me shoqatën dhe të gjitha bizneset nuk kanë më përgjegjësi fiskale. Ata nuk e shohin të arsyeshme t’i paguajnë shtetit taksë sepse shteti nuk po ua shtrinë dorën kur kanë nevojë”, ka thënë ai.
Ai tutje ka njoftuar edhe për një aksion simbolik për të cilin kanë planifikuar ta mbajnë si shenjë pakënaqësie për mosndihmën ndaj bizneseve.
“Kemi planifikuar aksion simbolik nga ora 12:00 deri në 13:00 të mbyllen të gjitha lokalet dhe çelësat do të dorëzohen tek Qeveria. Bizneset nuk duan të vazhdojnë të paguajnë më taksa, por me aksionin që jemi duke e ndërmarrë besoj që nuk do të hasim në vesh të shurdhër”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se shteti duhet të miratojë pakon emergjente dhe të bëjë lehtësira financiare.
“Le të bie TVSH-ja, të bëhet subvencionimi i pagave, mbulimi për 50 për qind i qirave, riprogramimi i kredive dhe lehtësira tjera”, ka thënë ai.