Gazeta zvicerane “Le Matin” ka mbetur e mahnitur me ecurinë e Kombëtares së Kosovës kohëve të fundit, duke e lartësuar atë si më të mirën në botë bazuar në rezultatet e arritura në fushë.
Kosova është skuadër e pamposhtur në 12 ndeshjet e fundit, të karakterit garues dhe miqësor, apo që prej tetorit të vitit 2017 kur u mund 2:0 nga Islanda në një ndeshje kualifikuese për Kampionatin Botëror 2018, shkruan Gazeta Express.
“Nëse i konsiderojmë vetëm rezultatet, cili është ekipi më i mirë kombëtar në botë, i pamposhtur që prej nëntorit 2017? Provojeni? Sa për t’ju habitur apo edhe zhgënjyer, nuk është as Franca – kampioni i botës që u gjunjëzua nga Holanda nëntorin e kaluar – e as Brazili e madje as asnjë Kombëtare e renditur në top 10-shën e botës”, shkroi Le Matin.
Jo, ky rekord – vazhdon shkrimi në Le Matin – i takon shtetit të vogël, Kosovës (që renditet e 130-ta në FIFA), një ekipi i zgjedhur nga Bernard Challandes i cili është krenar që nuk e ka humbur asnjërën prej nëntë ndeshjeve të fundit: tetë fitore dhe katër barazime.
E përditshmja zvicerane më pas e bën një krahasim mes “Dardanëve” dhe ekipit kombëtar të Zvicrës, që udhëhiqet nga Vladimir Petkovic.
“Si krahasim, ekipi zviceran i udhëhequr nga Petkovic në 12 ndeshje i ka regjistruar pesë fitore (kundër Serbisë, dy herë kundër Islandës, kundër Belgjikës dhe kundër Gjeorgjisë), tri barazime (me Brazilin, Kosta Rikën dhe Danimarkën) dhe i ka humbur katra (kundër Suedisë, Anglisë, Belgjikës dhe Katarit).
“Natyrisht, futbollistët prishtinas nuk janë përballur gjithmonë me kundërshtarë të nivelit të lartë në Ligën e Kombeve vjeshtën e kaluar. Por rezultatet e fundit – barazimi 2:2 me Danimarkën në një ndeshje miqësore dhe pika e fituar më pas kundër Bullgarisë (1:1) në fillim të kualifikimeve për EURO 2020 – pasqyrojnë përparimin e madh që ka bërë Kosova”, shkruan tutje gazeta zvicerane.