Gazetari i njohur Arben Ahmeti ka marrë pozitën e Drejtorit të Përgjithshëm të KF Liria nga Prizreni, ku tash e disa muaj është i angazhuar në drejtimin dhe organizimin e klubit.
Përmes një publikimi në rrjetet sociale, Ahmeti ka bërë të ditur se angazhimin në këtë klub e ka parë si përgjegjësi ndaj një institucioni që përfaqëson historinë, identitetin dhe krenarinë e Prizrenit.
Ai ka theksuar se gjatë muajve të fundit, së bashku me bashkëpunëtorët e tij, kanë arritur të krijojnë një ambient të mirë pune, besim të ndërsjellë dhe rezultate pozitive.
Ahmeti ka bërë të ditur gjithashtu se KF Liria synon të ndërtojë një projekt afatgjatë, me ambicie për të arritur suksese edhe më të mëdha në futbollin e Kosovës dhe rajonit.
Në mesazhin e tij, ai ka ftuar tifozët dhe qytetarët e Prizrenit që të dielën, në orën 17:00, të jenë të pranishëm në stadiumin e qytetit, në një ndeshje që sipas tij do të shënojë një moment të veçantë, pasi për herë të parë në historinë e qytetit një ndeshje futbolli do të zhvillohet në mbrëmje, nën dritën e reflektorëve.
Ai ka paralajmëruar gjithashtu festimin e titullit të kampionit vjeshtor nga KF Liria.
“Ne nuk po luftojmë vetëm për rezultate. Ne po ndërtojmë histori”, ka shkruar Ahmeti.










