Pas shumë sakrificash, përkushtimi dhe punë të palodhur, sportisti gjilanas Gentrit Shabani ka arritur një sukses të rëndësishëm në karrierën e tij, duke zënë vendin e dytë në garat e tij të para në kampionatin mbarëkombëtar të bodybuildingut.
Në një rrugëtim që, siç e përshkruan vetë ai, nuk ka qenë i lehtë, Gentriti ka kaluar me përkushtim stërvitjet e përditshme, disiplinën dhe sfidat që kërkon ky sport.
“Pas shumë sakrificash dhe besimit në procesin, më në fund arrita të realizoj një ëndërr që e kam ndjekur për një kohë të gjatë. Ky është vetëm fillimi,” ka shkruar ai me emocion në njoftimin e tij.
Shabani është shprehur mirënjohës për të gjithë ata që e kanë mbështetur në këtë rrugëtim, duke falënderuar në mënyrë të veçantë @ardonit.xhemajli dhe @fitness_arena_gjilan për ndihmën dhe përkrahjen e vazhdueshme.
Ky sukses për Gentrit Shabanin shënon një pikënisje të re në karrierën e tij sportive dhe një motivim të madh për të rinjtë që ndjekin rrugën e disiplinës dhe pasionit në sportin e bodybuildingut. /Radio Star/