Republika e Kenias sot ka njohur zyrtarisht Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran. Lajmi u bë i ditur nga ish-presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli, i cili me kontributin e tij edhe e solli këtë njohje, raporton Gazeta Sinjali.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, nuk ngurroi ta falënderonte Pacollin, por duket se një gjë e tillë nuk i ka konvenuar Donika Gërvallës.
Ajo e largoi nga çfarëdo roli e kontributi Pacollin, duke e personalizuar se këtë njohje e ka merituar ajo vetë dhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
“Mirëpresim vendimin e Republikës së Kenias për të njohur zyrtarisht Republikën e Kosovës, një lajm i rëndësishëm që thekson përparimin dhe forcimin e pozitës sonë në skenën ndërkombëtare dhe në kontinentin afrikan.
Nga takimi i parë që kemi pasur në vitin 2021 bashkë me Presidenten Vjosa Osmani me ish-Presidentin Uhuru Kenyatta, kemi parë rrugën graduale drejt njohjes reciproke. Mezi presim ndërtimin e marrëdhënieve të mirëfillta diplomatike me Republikën e Kenias dhe fillimin e bashkëpunimit mes dy shteteve tona në fusha të ndryshme“, ka shkruar Gërvalla.