Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka reaguar pasi Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës miratoi raportin për anëtarësimin e Kosovës në KiE, duke theksuar se u përmbyll edhe një hap gjigant drejt anëtarësimit të plotë të Kosovës në këtë organizatë.
“Me 131 vota për dhe 29 vota kundër Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës (KiE), pas një diskutimi prej rreth 3 orësh votoi për pranimin e Kosovës në këtë organizatë ndër më të rëndësishme evropiane, respektivisht për t’i rekomanduar Këshillit Ministror, i cili mblidhet pas një muaji, anëtarësimin e Kosovës në KiE”, shkroi Gërvalla në rrjetin social Facebook.
Ajo shtoi se ky raport u mbështet nga shtetet e grupet politike të ndryshme.
“Raporti i raportueses së Asamblesë Parlamentare për procesin e anëtarësimit, Dora Bakojanis, i cili konstaton se Kosova ka plotësuar të gjitha kushtet për pranim në Këshillin e Evropës hasi në mbështetje të gjerë të parlamentarëve nga shtete dhe grupe politike të ndryshme”, potencoi ajo.
“Deri në anëtarësimin e plotë të Kosovës në Këshillin e Evropës mbetet edhe shumë punë për të bërë. Mirëpo sot është dita për të falënderuar shumë të gjithë ata që na mbështetën nga fillimi në këtë rrugë të vështirë, por edhe të gjithë ata që në fillim ishin hezitues, por më pas na përkrahën dhe ndihmuan me shumë besim edhe energji”, përfundoi Gërvalla.