Çdo njeri me aftësi të kufizuara i gëzon të gjitha drejtat për të përparuar si çdo njeri tjetër. Këta persona kanë të drejtë të kenë një jetë të përmbushur dhe të dinjitetshme, që të kontribuojnë në jetën e tyre të përditshme sportive, kulturore, ekonomike dhe në komunitetin e tyre ku jetojnë.
Megjithatë, mbijetesa e tyre mund të jetë e vështirë dhe me sfida të ndryshme gjatë rrugëtimit të tyre jetësor.
Gëzim Maloku, i cili tani e 40 vite përballet me vështirësitë shëndetësore e familjare, “shpëtimin e tij” nga këto probleme e gjeti te bilbili i referit, duke ndarë drejtësinë në ndeshjet futbollistike.
Gëzimi që nga mosha 12 vjeçare ishte dashuruar në lojën e futbollit, por asnjëherë nuk arriti që këtë dashuri ta shprehë në “tepihun e blertë”, pasi gjendja shëndetësore e tij nuk e përballonte një dinamikë çfarë kërkon futbolli.
Gëzimi, i cili jeton afër shkollës fillore “Selami Hallaçi” në Gjilan, vazhdimisht i përcillte turniret e futbollit në këtë objekt arismor.
Një ditë, një pedagog i kësaj shkolle i jep ‘pipin’ dhe i thotë që ta ndante drejtësinë në një ndeshje dhe për çudi të të gjithëve, Gëzimi e ndau drejtësinë në mënyrë brilante, dhe që nga ai moment fillon rrugëtimi i tij si gjyqtar në çdo ndeshje, që zhvillohej në këtë shkollë dhe në lagjen e tij.
“Nga zemra i falenderoj të gjithë arsimtarët e Edukatës Fizike të shkollës “Selami Hallaçi”, të cilët më kanë trajtuar si të isha pjesë e kësaj shkolle. I jam mirënjohës çdo futbollisti që ka pasur respekt ndaj punës sime dhe gjendjes sime fizike-shëndetësore, po ashtu nga zemra u jam mirënjohës fqinjve dhe qytetarëve të Gjilanit, që asnjëherë në jetën e tyre nuk kanë pasur dhunë apo abuzim ndaj meje. I gjithë ky kujdes më ka bërë të ndihem i lumtur e krenar që i takoj qytetit të Gjilanit”, shprehet Maloku.
Duke e parë talentin dhe dashurinë ndaj referimit, Lidhja Regjionale e Futbollit të Gjilanit, në vitin 2003 e licencon Gëzimin me kartelë të referit, për të ndarë drejtësinë në kategoritë e reja sa herë që kishte nevojë.
“Edhe sot me shumë dashuri e ruaj atë kartelë. Kam referuar shumë ndeshje të kategorive të reja, por kam qenë shumë i ashpër me futbollistë, pasi s’kam toleruar ndeshje të vrazhda apo kacafytje dhe i kam ndëshkuar menjëherë me karton të kuq, si referi i madh italian dhe idhulli im – Colina. Ndarjet e drejtësisë në këto kategori kanë qenë momentet më të mira të jetës sime”, bën të ditur Maloku.
Problemet shëndetësore, që ishin një pengesë shumë e madhe në jetën e tij, humbja e babait para 19 vitesh dhe ndërrimi i jetës së nënës së tij para një viti edhe më shumë e kanë rënduar gjendjen e tij shëndetësore e ekonomike.
“Jetoj i vetmuar, pa asnjë anëtar të familjës. Jetoj me 100 euro në muaj, ku edhe këtë shumë nganjëherë ma ndalin duke më kërkuar vazhdimisht dokumente shtesë. Shtëpia ka filluar të rrënohet, po i’a dal disi, por me shumë vështirësi”, thotë i mërzitur, Gëzim Maloku.
Të lumtur Gëzimin e bën vetëm loja e futbollit. Ngado që shkon, ai me vete i mban pipin e gjyqtarit, kartonin e verdhë e të kuq dhe librezën e licencuar nga LRFGJ. Sipas tij, këto janë gjërat më të vlefshme në jetën e tij./Radio Star/
Shkruan: Nderim Ismajli, student i vitit të dytë në Kolegjin AAB, drejtimi Komunikimi Masiv – Gazetari.