Grupi i Grave Deputete (GGD) e ka konsideruar të trishtueshëm dhe humbje të madhe vdekjen e ish-Sekretares Amerikane të Shtetit, Madeleine Albright.
“Kosova ka humbur një mike të madhe. Jemi të trishtuara për lajmin e vdekjes së znj. Madeleine Albright, ish-sekretares së Shtetit. Ajo bashkëndjeu me popullin tonë dhe denoncoi për krimet. Populli i Kosovës nuk do t’i harrojë veprat e saj dhe vetë atë asnjëherë.
Si gruaja e parë Sekretare e Shtetit, znj. Albright nuk dha vetëm shembullin e saj për vajzat e gratë, por edhe u angazhua edhe vetë direkt për realizimin e barazisë gjinore.
Kosova ka shumë për ta falenderuar dhe këtë do ta bëjë gjithmonë. Në Kosovë ende vazhdojnë punët e idetë e saj. Në kuadër të falenderimeve, kujtojmë e do të jemi mirënjohës për themelimin e vetë grupit tonë, të Grave Deputete.
I shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta familjes, atyre që e njohën në SHBA dhe Kosovë”, thuhet në telegramin e GGD-së.