Gjashtë vjet kanë kaluar nga vrasja e Engjëll Smërqakut në Gjilan. Por, edhe sot, askush nuk është akuzuar për vrasjen e 19-vjeçarit.
Ngjarja e rëndë, që ndodhi natën mes 22 dhe 23 tetorit 2020, vazhdon të mbetet e pazbardhur. Familja ende pret drejtësi.
Engjëlli ishte duke u kthyer nga puna kur u sulmua me thikë para hyrjes së banesës së tij, në rrugën “Gjon Sereqi” në Gjilan.
Sipas Policisë së Kosovës, njoftimi për një person të plagosur kishte ardhur më 23 tetor 2020, rreth orës 00:06.
I riu u dërgua fillimisht në Spitalin Rajonal të Gjilanit dhe më pas drejt QKUK-së. Megjithatë, plagët rezultuan fatale.
Hetimet nisën menjëherë. Prokuroria intervistoi dëshmitarë, ndërsa, sipas raportimeve të kohës, u siguruan edhe pamjet e kamerave pranë vendit të ngjarjes.
Megjithatë, hetimet nuk sollën identifikimin e autorit dhe as ngritjen e ndonjë aktakuze.
Në tetor të vitit 2021, Prokuroria Themelore në Gjilan deklaronte se, në bashkëpunim me Policinë, po punonte intensivisht për zbardhjen e rastit.
Institucioni pretendonte se kishte ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, duke premtuar vazhdimin e tyre deri në identifikimin e personave të dyshuar.
Por, katër vjet pas vrasjes, Nacionale raportonte se nuk kishte asnjë përparim të dukshëm në zbardhjen e krimit.
Në një prononcim për Nacionalen, vëllai i viktimës, Blond Smërqaku, kishte shprehur pakënaqësinë e thellë me punën e prokurorëve.
“Përpos që njëherë u ndërru prokurori, nga Agron Uka te Isuf Sadiku asgjë tjetër nuk është ndërmarrë. Prokurorët po flenë gjumë”, kishte deklaruar ai.
Ndërkohë, dhimbja dhe zhgënjimi i familjes ishin shprehur publikisht edhe nga nëna e Engjëllit, Flora Smërqaku.
“Lus organet e drejtësisë, edhe pse jam shumë e zhgënjyeme me punën e tyre. Aspak s’kanë bërë deri tash”, kishte deklaruar ajo për KOHËN në vitin 2021.
“Prokurorët në gjumë”, katër vjet pas vrasjes së Engjëll Smërqakut nga Gjilani; asnjë lëvizje
“Marre është në këtë shekull mos me u gjet vrasësi”, ishte shprehur ajo.
Nëna e viktimës kishte theksuar se familja nuk kërkonte hakmarrje, por vetëm drejtësi për djalin e vrarë.
Vrasja e Engjëllit kishte nxitur edhe protesta në Gjilan. Familjarë, miq dhe qytetarë të shumtë kishin kërkuar nga institucionet identifikimin dhe ndëshkimin e autorit.
Në tetor 2021, një protestë paqësore ishte organizuar para Kuvendit Komunal, ndërsa protestuesit kishin shprehur zhgënjimin për mungesën e rezultateve hetimore.
Kërkesat për drejtësi vazhduan edhe vite më vonë.
Në gusht 2025, gjatë protestës para Gjykatës dhe Prokurorisë në Gjilan, pas një vrasjeje të trefishtë, u rikthye edhe rasti i Engjëllit.
Tashmë janë bërë gjashtë vjet nga vrasja. Sipas informacioneve të deritanishme.
Familja Smërqaku vazhdon të presë përgjigjen për pyetjen që e ka shoqëruar që nga tetori i vitit 2020: kush ia vrau Engjëllin?










