Komiteti për Komunitete ka miratuar të enjten raportin e Zyrës së linjës, ku pasqyrohet procesi i kthimit dhe ri-integrimit në këtë periudhë si dhe çështje të tjera që kanë të bëjnë me komunitetet.
Kemal Shahin, kryesues i kësaj trupe komunale, është shprehur optimist se ky komitet, sikur edhe deri më tani, përgjatë 18 viteve të kaluara, do të jetë në shërbim të të gjitha komuniteteve, për çka është vlerësuar shembulli më i mirë në Kosovë.
Shahin është shprehur i kënaqur që probleme mes komuniteteve nuk ka, përveç papunësisë, që në të vërtet, siç ka thënë ai, është problem i përbashkët i të gjithë qytetarëve të Kosovës.
Ndërkaq, Milivoje Zhivkoviq, shef i Zyrës për Komunitete dhe Kthim (ZKK), ka thënë se gjatë kësaj periudhe, sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Brendshme, janë riatdhesuar 12 familje dhe individë, qoftë në mënyrë të vullnetshme, qoftë me detyrim, shumica e tyre nga Gjermania.
Përndryshe, Zhivkoviq tha se Komisioni Komunal për ri-integrim ka mbajtur dy takime dhe ka shqyrtuar dy kërkesa, njëra për pagesën e qirasë për gjashtë muaj, ndërsa tjetra për dru zjarri dhe të dyja janë aprovuar.
Zyrës për Komunitete dhe Kthim i janë drejtuar 27 kërkesa të qytetarëve për ndihmë në material ndërtimor për rastet sociale ose konfirmimin e nacionalitetit, ka thënë Zhivkoviq.
Është kryer projekti i tregut në fshatin Kmetoc, i financuar nga Komuna dhe organizata IOM, tregu afër kishës, i financuar nga UNMIK, kurse pritet ndërtimi i kishës në fshatin Cërnicë, ku Komuna e ka ndarë pronën, ndërsa projekti financohet nga MKK.
Janë duke u bërë përgatitjet teknike për asfaltimin e rrugëve dhe shtratit të
lumit në fshatin Shillovë, të financuar nga MKK, ka thënë Zhivkoviq, duke prezantuar edhe hollësi të tjera rreth aktivitetit të ZKK.