Me datën 01.08.2026, rreth orës 20:40, Policia Rajonale e Ferizajt
ka pranuar një informatë se dy persona kishin humbur orientimin në zonën malore në mes të maleve të Shtërpcës, Ferizajt dhe Suharekës dhe kishin mbetur të bllokuar në terren.
Menjëherë pas pranimit të informacionit, janë njoftuar njësitë policore të stacionit të Ferizajt, të Shtërpcës dhe Suharekës dhe janë ndërmarrë veprimet e nevojshme për lokalizimin e tyre. Njëkohësisht është njoftuar edhe Shoqata e Kosovës për Kërkim dhe Shpëtim, e cila ka reaguar menjëherë duke angazhuar ekipet e saj në terren.
Rreth orës 01:00, të datës 02.08.2026 ekipet e kërkim-shpëtimit kishin arritur t’i lokalizonin dhe t’i nxirrnin nga terreni dy të rinjtë, të cilët kishin humbur rrugën pasi ishin futur me një motoçikletë katër-rrotëshe (ATV) në një rrugë pa dalje në zonën malore.
Dy personat, rreth 20 vjeç janë dorëzuar te familjarët e tyre në gjendje të mirë shëndetësore dhe pa asnjë lëndim.
Policia Rajonale e Ferizajt shpreh mirënjohje dhe falënderim të sinqertë për Shoqatën e Kosovës për Kërkim dhe Shpëtim, dega në Suharekë, e cila edhe në këtë rast dëshmoi profesionalizëm, gatishmëri dhe përkushtim të lartë në shpëtimin e qytetarëve.
Njëkohësisht, apelojmë te të gjithë qytetarët që të tregojnë kujdes të shtuar gjatë lëvizjes në zonat malore, të mos hyjnë në shtigje apo terrene që nuk i njohin, veçanërisht në bjeshkë të thella dhe gjatë orëve të natës.
Para çdo aktiviteti në natyrë rekomandohet planifikimi i itinerarit, njoftimi i familjarëve dhe Shoqatës se Kosovës për Kerkim dhe Shpetim, për destinacionin dhe të përdorin pajisje të nevojshme për orientim dhe komunikim.

