Prishtinë- Dogana e Kosovës njofton se janë gjetur rreth 1 milion euro të padeklaruara në një veturë pikëkalimin kufitar në Merdar.
Dogana bën të ditur se të martën, zyrtarët e Doganës kanë selektuar një automjet për kontroll të detajuar, në hyrje të territorit të Republikës së Kosovës, bazuar në analizën e riskut dhe procedurat standarde operative, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Automjeti fillimisht është kontrolluar përmes pajisjes së skanimit me rreze X (X-Ray), ku janë identifikuar indikacionet e para për ekzistimin e një hapësire të dyshimtë të modifikuar në dyshemenë e tij. Pas këtyre indikacioneve, Dogana e Kosovës ka kërkuar asistencë nga zyrtarët e Policisë Kufitare, të cilët kanë ofruar mbështetje teknike përmes pajisjes fibroskopike”, thuhet në njoftim.
Sipas Doganës, gjatë kontrollit të përbashkët, dyshimet e ngritura nga skaneri janë konfirmuar me zbulimin e mjeteve monetare të padeklaruara, të fshehura në një hapësirë të improvizuar brenda automjetit.
“Sipas vlerësimeve fillestare, shuma e mjeteve monetare dyshohet të jetë rreth 1,000,000 (një milion) euro. Njësitë hetimore të Doganës kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes. Prokurori kompetent është njoftuar dhe, në koordinim me të, po ndërmerren veprime të mëtejme hetimore në përputhje me autorizimet ligjore”, thuhet në njoftim.

