Tre persona humbën jetën nga një aksident që ndodhi në autostradën “Ibrahim Rugova”.
Viktimat dyshohet të kenë qenë duke e shikuar një garë mes veturave, njëra prej të cilave e humb kontrollin dhe godet shikuesit anash rrugës.
Pas kësaj ngjarje, po kërkohet ashpërsim i madh i dënimeve në komunikacion.
Avokati Arianit Koci ka shkruar në rrjete sociale se gjendja është e jashtëzakonshme.
“Në një shtet ku prej 10 shoferave së paku tetë janë me telefon në dorë në ndonjë pjesë të vozitjes, ndodhin tragjeditë si ajo në autostradë afër Prizrenit. Madje, edhe shoferat e autobusave urban flasin në telefon gjatë vozitjes. Jo rrallë, i kam parë edhe policët me telefon në dorë në lëvizje me vetura zyrtare. Toleranca sistematike e kundërvajtjeve, e krijon kulturën e interaksionit kriminal në komunikacion. Kjo gjendje pastaj e determinon tragjedinë që ka ndodhur mbrëmë ku kanë mbetur të vdekur tre të rinj!”, ka shkruar Koci.
“Prandaj, urgjentisht duhet shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në komunikacion. Të fillohet me aplikimin e ashpër të dënimeve. Sot menjëherë!”, ka shkruar avokati Koci.