Dita e parë Kombëtare e Veteranëve u shënua të dielën në Gjermani me rreth 100 ngjarje anembanë vendit, përfshirë ceremoninë kryesore në ndërtesën e Bundestagut në Berlin, ku figura të larta politike bënë thirrje për përforcimin e lidhjes mes ushtrisë dhe shoqërisë dhe diskutuan idenë e rikthimit të shërbimit të detyrueshëm ushtarak dhe civil, shkruan The Local.
Kjo ditë përkujtuese u krijua për të nderuar rreth 10 milionë ushtarë aktivë dhe ish-ushtarë gjermanë, për të evidentuar sfidat e tyre dhe të familjeve të tyre, si dhe për të nxitur vlerësimin e publikut ndaj rolit të tyre në sigurinë kombëtare.
Kryetari i Komitetit të Mbrojtjes në Bundestag, Thomas Röwekamp (CDU), bëri thirrje për hapjen e një debati të gjerë shoqëror për shërbimin e detyrueshëm. Ai propozoi që ky shërbim të mund të zhvillohet jo vetëm në Bundeswehr (ushtrinë gjermane), por edhe në mbrojtjen civile apo sektorin social.
“Po përballemi me situatën më të rrezikshme të sigurisë në dekada. Është koha për një reflektim të thellë mbi qëndrueshmërinë e shoqërisë sonë,” tha Röwekamp për gazetat Funke, transmeton albinfo.ch.
Kancelari Friedrich Merz vlerësoi forcat e armatosura si “një pjesë integrale të shoqërisë”, ndërsa përmes një postimi në rrjetin social X, theksoi se ushtarët – burra dhe gra – meritojnë “falënderime, njohje dhe respekt”.
Edhe komisioneri i Forcave të Armatosura në Bundestag, Henning Otte, theksoi rëndësinë e kësaj dite për ta vënë në qendër të vëmendjes kontributin e ushtarëve gjermanë, shumë prej të cilëve, sipas tij, “kanë sakrifikuar shëndetin apo edhe jetën”.
Dita e Veteranëve pritet të kthehet në një ngjarje të përvitshme me rëndësi të veçantë politike dhe kulturore, ndërkohë që tensionet globale dhe diskutimet për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të Gjermanisë po marrin gjithnjë e më shumë hapësirë në agjendën kombëtare.