Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur në takim delegacionin gjerman të kryesuar nga zëvendës presidenti i Parlamentit Evropian, Rainer Wieland, me të cilët ka biseduar rreth zhvillimeve të fundit politike në vend dhe rajon si dhe për mundësinë e rritjes së bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve tona.
Haradinaj ka njoftuar delegacionin gjerman për prioritetet e Qeverisë, me theks në zhvillimin ekonomik dhe hapjen e vendeve të reja të punës, për përmbushjen e reformave në përgjithësi dhe atë të kritereve për liberalizimin e vizave në veçanti, forcimin e sundimit të rendit dhe ligjit si dhe për proceset e rëndësishme nëpër të cilat është duke kaluar Kosova.
Ndër temat e takimit ishte edhe liberalizimi i vizave, rruga euroatlantike e Kosovës, forcimi i subjektivitetit ndërkombëtar të shtetit të Kosovës, si dhe arritja e një marrëveshjeje finale, ndërmjet Republikës së Kosovë dhe Serbisë, ligjërisht obliguese që rezulton me njohje reciproke ndërmjet dy vendeve, e cila do t’i kontribuonte stabilitetit rajonal dhe do t’i hapte perspektivë të dyja vendeve në rrugën e integrimeve evropiane.
Haradinaj ka falënderuar Wieland dhe shtetin e Gjermanisë për përkrahjen e vazhdueshme që i kanë dhënë dhe vazhdojnë t’i japin Kosovës në të gjitha periudhat, në të njëjtën kohë kërkoi edhe rritjen e bashkëpunimit në fushën e edukimit, zhvillimit ekonomik dhe atë politik.
“Zëvendëspresidenti i Parlamentit Evropian, Rainer Wieland, është dëshmi e miqësisë dhe orientimit tonë për një partneritet të qëndrueshëm dhe afatgjatë me Gjermaninë. Ardhja e tij në Kosovë, me një delegacion të përfaqësuesve politik të CDU-së nga Baden Wuerttemberg, ndërmarrës dhe ekspert nga arsimi, është dëshmi e përkushtimit tonë për të avancuar këtë partneritet”, tha Kryeministri Haradinaj duke e falënderuar Wieland për mbështetjen e vendit në procesin e liberalizimit të vizave dhe duke kërkuar përkrahje edhe në këtë etapë të fundit drejt lëvizjes së lirë.
Kryeministri shtoi se përvoja e këmbimit të nxënësve përmes Education Unlimited dhe programe të tjera të kësaj natyre, kanë sjellë një mundësi të mirë për nxënësit tanë, të avancojnë më shumë në shkollim dhe mundësi të tjera për të ardhmen akademike dhe Qeveria e vendit është e përkushtuar për ta vazhduar këtë bashkëpunim në fushën e arsimit, por edhe në fushën e ekonomisë dhe politikës, me shtetin mik të Kosovës, Gjermaninë.
Zëvendëspresidenti i Parlamentit Evropian, Rainer Wieland, dhe delegacioni gjerman vlerësuan bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve tona duke thënë se Gjermania do të vazhdojë përkrahjen e Kosovës në aspektin ekonomik dhe perspektivën e saj euroatlantike.