Një tjetër kontribut për shëndetësinë në Kosovë vjen nga diaspora. Dr. Alvin Karaqi, në bashkëpunim me Dr. Kushtrim Grezdën, kanë siguruar tetë tavolina profesionale dhe multifunksionale të operacionit për Klinikën e Ortopedisë dhe Traumatologjisë në QKUK.
Donacioni vjen nga Schulthess Klinik në Cyrih të Zvicrës dhe synon të ndihmojë në përmirësimin e kushteve për punën e stafit mjekësor dhe trajtimin e pacientëve.
Shkrimi i plotë i Dr. Alvin Karaqi:
Tetë tavolina operative për Klinikën e Ortopedisë dhe Traumatologjisë në QKUK
Jemi shumë të lumtur që kemi arritur të dhurojmë tetë tavolina profesionale dhe multifunksionale të operacionit për Klinikën e Ortopedisë dhe Traumatologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK). Donacioni vjen nga Schulthess Klinik- Zürich, ku punoj, Klinika lidere e Ortopedisë në Zvicër dhe e 2. në Evropë. Të gjitha tavolinat i kanë kaluar kontrollet bioinxhinierike në vitin 2025 dhe kanë qenë në funksion në klinikën tonë deri në shtator 2026.
Ky donacion është rezultat i bashkëpunimit të ngushtë shoqëror, kolegial si dhe punës së pa lodhshme të Dr. Kushtrim F. Grezda nga Kosova si dhe i përkrahjes pa kushte të Ivica Krizanac, përgjegjës për menaxhimin e sallave të operacionit dhe të qendrës ambulatore të Schulthess Klinik.
Një falënderim i veçantë për të gjithë ata që kontribuuan. Pas dhurimit të një tavoline operimi në vitin 2025 dhe të një aparature skopie rentgeni në fillim të këtij viti, me nismën e mikut Arigon Smajli sot në këtë përpjekje u bashkuan edhe z. Besir Beluli dhe z. Arlind Gashi nga ekipi i sallave të operacionit në Schulthess Klinik. Falënderoj të tre dhe gjith kolegët shqiptar që mezi presin të ndihmojnë për atdhe.
Mirënjohje drejtorit të Ortopedisë në Kosovë, z. Xhavit Gashi, për mbështetjen dhe pranimin e këtij donacioni.
Uroj që këto pajisje t’u shërbejnë kolegëve në punën e tyre të përditshme dhe të kontribuojnë në kujdesin ndaj pacientëve.
I gëzofshin kolegët dhe pacientët!
Qendra Klinike Universitare e Kosoves – QKUK
Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës










