Gjykata e Apelit e ka vërtetuar dënimin prej dy vjetësh burgim të shqiptuar nga shkalla e parë, ndaj inspektorit të ndërtimit në Komunën e Gjilanit, B.A, që akuzohej për veprën penale të marrjes së ryshfetit.
Po ashtu, Apeli ka refuzuar ankesën e Prokurorisë Themelore në Gjilan të ushtruar ndaj aktgjykimit të shkallës së parë, duke liruar kështu përfundimisht nga akuzat për korrupsion, ish-drejtorin e Urbanizmit në Komunën e Gjilanit, V.Sh, shefin e inspeksionit të ndërtimit në këtë komunë, M.Sh si dhe inspektoren B.B, Gjithashtu, aktgjykimi lirues i shkallës së parë është vërtetuar edhe ndaj të akuzuarit për heqje ose dëmtim të vulave zyrtare ose shenjave, A.B. Lajmin për “Betimi për Drejtësi” e ka konfirmuar zyrtari për informim në Gjykatën e Apelit, Arbër Jashari.
Ndryshe, më 29 nëntor të vitit të kaluar, një kolegj i Gjykatës së Apelit, kishte shqyrtuar ankesën e Prokurorisë Themelore në Gjilan si dhe ankesën dhe përgjigjet në ankesë të mbrojtësve të ish-drejtorit të Urbanizmit në Komunën e Gjilanit, V.Sh dhe katër të akuzuarve tjerë për korrupsion.
Gjykata Themelore në Gjilan, më 18 qershor 2018, e kishte shpallur fajtor inspektorin e ndërtimit në Komunën e Gjilanit, B.A dhe të njëjtit i kishte shqiptuar dënim me dy vjet burgim, për veprën penale të marrjes së ryshfetit./plustv/