Një person është dërguar në gjendje të rëndë sot në Qendrën Emergjente të QKUK-së pasi i njëjti ka rënë në kontakt me rrymën.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës në Gjilan, Ismet Hashani, për Radio Star, tha se sot rreth orës 12:03, Policia ka pranuar një informatë se një puntor i një kompanie private është lënduar gjatë punës, pasi dyshohet se ka rënë aksidentalisht në kontakt me energjinë elektrike.
Në vendin e ngjarjes ka dalë fillimisht një patrullë e Policisë së Kosovës, ndërsa më pas janë angazhuar edhe njësitë relevante, përfshirë zjarrfikësit, KEDS-in dhe mjekët nga emergjenca rajonale. Për rastin është njoftuar edhe Inspektorati i Punës.
Sipas hetimeve të para, i lënduari është dërguar me urgjencë në spitalin rajonal në Gjilan, ku ka marrë ndihmën e parë, ndërsa më pas është transferuar në Qendrën Klinike Universitare në Prishtinë. Prokurori i shtetit është njoftuar për rastin dhe ka urdhëruar Policinë e Kosovës të hetojë rrethanat e këtij aksidenti të rëndë.
Zëdhënësi Hashani ka theksuar rëndësinë e respektimit të masave mbrojtëse dhe rrezikun e lartë që paraqet çdo mosrespektim i tyre në vendin e punës.