Në mesin e shumë krijimeve muzikore që këtë vit dolën nga Eurovisioni, një version i veçantë i këngës “Zjerm” mori vëmendje të jashtëzakonshme dhe pas këtij remiksi që po bën bujë në rrjete sociale dhe klube evropiane qëndron një emër nga Gjilani shkruan Radio Star.
Altin Rexhepaj, 28 vjeç, me origjinë nga Gjilani dhe rezidencë në Kanada, prej një dekade merret seriozisht me muzikë në veçanti me zhanrin House, të cilin ai e quan “i preferuari im që në rini”.
Megjithatë, ai nuk është mbyllur në vetëm një drejtim muzikor. “Kam eksperimentuar edhe me Hip Hop e shumë stile të tjera, por ritmi i House-it gjithmonë më ka tërhequr. Është pjesë e identitetit tim muzikor”, thotë ai.
Pikërisht ky pasion për muzikën House e shtyu Altinin që t’i japë një dimension të ri këngës “Zjerm”, e cila këtë vit përfaqësoi Shqipërinë në Eurovision.
“Më pëlqeu shumë që në versionin origjinal, por e ndjeva se kishte potencial të madh për ta kthyer në stilin Afro House ose siç unë i referohem me krenari, ‘Albanian House’,” shpjegon ai.
E gjithë puna për realizimin e remiksit zgjati vetëm një ditë e gjysmë. “Desha ta përfundoj shpejt, që të ishte gati për Eurovision. Ishte mënyra ime për ta përkrahur këngën si shqiptar nga diaspora”, shton Altini.
Por nuk mbaron me kaq remiksi u publikua si një video e shkurtër në Instagram, dhe brenda pak orësh, ai u bë viral. Në tre ditë, videoja arriti shifrën e 100 mijë shikimeve, çka tërhoqi vëmendjen edhe të organizatorëve të Eurovisionit, të cilët e ftuan që remiksi të luhej në klubin zyrtar të Eurovisionit Euroclub, në qytetin Basel të Zvicrës.
Për më tepër, Altinin e kontaktoi edhe gazetari dhe komentatori i njohur i Eurovisionit për Shqipërinë, Andri Xhahu, për ta transmetuar versionin e tij të “Zjerm” në Radio Tirana 1.
Mbështetje të vazhdueshme mori edhe nga anëtarja e jurisë shqiptare në Eurovision, Festina Mejzini, e cila ka ndarë remiksin në rrjetet sociale.
Suksesi nuk ndal as këtu disa DJ të njohur në rajon dhe menaxhmenti i platformës “Shkodra Elektronike” i kanë uruar Altinit vazhdim të mbarë në skenën e muzikës elektronike, duke e cilësuar remiksin e tij si një shembull të mirë të bashkimit të traditës shqiptare me ritmet moderne globale.
Altin Rexhepaj është një shembull i qartë se si talenti dhe përkushtimi, edhe nga diaspora, mund të kthejnë një krijim muzikor në një valë të re suksesi këtë herë, me shumë “Zjerm”./radiostargjilan/