Policia Rajonale e Gjilanit ka hasur në 165 qytetarë të cilët nuk kanë respektuar masat shëndetësore të cilat janë në fuqi për mbrojtjen nga pandemia.
Këtu përfshihet edhe mos mbajtja e maskës. Policia ka ndaluar këta persona dhe ndaj tyre ka shqiptuar fletëparaqitje të cilat plotësohen edhe me gjoba.
Fletëparaqitja përmban të dhënat për qytetarin i cili nuk ka respektuar masat shëndetësore. Në komunën e Gjilanit janë shqiptuar 52 fletëparaqitje të cilat fletëparaqitje u janë dorëzuar inspektorëve sanitar të cilët i plotësojnë me gjoba. Kurse policia ka shoqëruar inspektorët sanitar të cilët kanë mbyllur dy lokale hotelerie të cilët janë hasur duke ushtruar veprimtarinë e tyre në kundërshtim me masat anti COVID-19, raporton KOHA.
Në komunën e Kamenicës janë shqiptuar 28 fletëparaqitje gjersa në komunën e Vitisë janë shqiptuar 15 fletëparaqitje kurse në komunën e Kllokotit janë shqiptuar 14 fletëparaqitje.
“Këto fletëparaqitje plotësohen nga ana e policisë me të dhënat e personave të takuar dhe pastaj u jepen inspektorëve sanitar që i plotësojnë gjobat përkatëse. Merren shënimet emri dhe mbiemri, numri i letërnjoftimit dhe momenti ku janë takuar dhe çfarë masa nuk kanë respektuar. Policia e Kosovës i thërret dhe apelon te qytetarët që ti respektojnë me përpikëri masat e ndërmarra nga ana e Qeverisë, ne dhe të gjitha institucionet e shtetit e kemi vetëm një qëllim mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve tanë, në të kundërtën moszbatimi i këtyre masave do të ketë konsekuenca ligjore”, ka thënë zëdhënësi i Policisë Regjionale në Gjilan, Ismet Hashani.
Drejtori komunal i Inspektoratit në Gjilan, Nevzad Rushiti ka deklaruar se policia po u përcjell raportet me të dhënat e qytetarëve të cilat më pas inspektorati po i parqet në gjykatë e cila do të merret me këto raste.
Ai ka thënë se policët nuk kanë shqiptuar gjoba kurse inspektorët komunalë në punën e tyre në terren kanë shqiptuar gjoba dhe kanë mbyllur biznese.
“Policia po përgatit raport dhe po na dërgon neve kurse ne më pas e përcjellim në gjykatë për kundërvajtje. Policia nuk është duke shqiptuar gjoba. Kurse si Inspektorat kemi të drejtë të shqiptojmë gjoba mandatore qoftë për mosmbajtje të distancës, mosmbajtje të maskës, për dezifenktues etj. Kemi shqiptuar gjoba ndaj bizneseve që nuk kanë përfill po ashtu kemi mbyllur edhe lokalet. Gjoba për personin fizik është 50 euro kurse për personin juridik është deri 500 euro” ka thënë ai.