Para një viti ndërroi jetë mjeku i njohur gjilanas, urologu Shevqet Mehnmet, njëherësh njëri prej kronistëve më të mirë të këtij qyteti.
Në shenjë kujtimi e respekti, atë e kanë rikujtuar sot shumë persona, miq e shokë, për faktin se ai ishte edhe një humanist i madh.
Islam Osmani, gazetar, ka bërë këtë dedikim:
Me dr Shevqetin kaluam shumë vite të jetës së bashku, deri se ai iku në botën tjetër, pa treguar e pa më thënë as edhe lamtumirën e fundit.
E përkujtoj gjithëhere jo vetëm në këtë përvjetor të vdekjes së tij, por sa herë që dëgjoj emrin e tij, sa here që takoj ndonjë shok apo mik të përbashkët. E kujtoj shokun dhe mikun tim, doktor Shevqetin nga se përjetuam së bashku shumë sprova të kësaj jete.
Kurse Zekirja Abdullahu, ka shkruar:
Një mungesë e madhe po ndihet, por me caktimin e Allahut duhet te pajtohemi. Tash një vit pushoi së rahuri zemra e nje humamisti, mjeku, një dijetari te zellshem Dr.prim. Shevqet Mehmet nga Gjilani.
Në këto ditë te muajit te shenjte te Ramazanit lusim të Madhin Zot që shpirtin tënd fisnik ta vendos në kopshtet e xhennetit dhe në shoqëri të evliave e njerëzve fisnikë.
Ai kishte ofruar shërbime mjekësore falas në ordinancën e tij për disa kategori, për disa vjet me radhë.
Në këtë grup ishin përfshi edhe personat me emrin Ramush e Fetije.
Këta dy emra ishin të veçantë për mjekun gjilanas, sepse Ramush e Fetije quheshin prindërit e tij.
Edhe kjo ishte një mënyrë për t’i nderuar e kujtuar prundërit.
Shevqet Mehmet u nda nga jeta në moshën 67- vjeçare./Mediafokus