Teuta Hyseni nga Gjilani ka ligjëruar këtë muaj në një ngjarje të madhe të teknologjisë në Shtetet e Bashkuara. Ajo foli për të ardhmen e sigurisë kibernetike dhe inteligjencës artificiale në konferencën “Women of Silicon Valley 2019”.
Kosovarja e re, e cila punon me gjigantin Microsoft, është nga inxhinieret më premtuese në Luginën e Silikonit. Detyra e saj është të mbrojë të dhënat tona nga duart e këqija.
Ajo ka arritur këtu pas një rruge të gjatë. Rreth një dekadë më parë, Teuta mbërriti në Amerikë për të studiuar shkencat kompjuterike. Ishte ndër bursistët e përzgjedhur të programit “Arsimim për paqe”, që po dërgonte në Universitetin Luterian të Teksasit studentë të dalluar nga Kosova. Këta do të dalloheshin dhe në Amerikë.
Teuta u zgjodh senatore në qeverinë studentore, shërbeu si studente ambasadore për universitetin, dhe u angazhua në komitetin e teknologjisë. Gjatë studimeve, bëri punë praktike si analiste e investimeve në Bulldog Investment Group, programere në organizatën Make-A-Wish Foundation, si dhe asistente e notuese në lëndën e statistikës.
Falë arritjeve akademike dhe përkushtimit ndaj profesionit, u punësua menjëherë pas diplomimit: inxhiniere softveri në Rackspace Hosting Company, ndërmarrje e specializuar në ruajtjen e të dhënave në re. Teuta ndihmoi kompaninë për të zhvilluar një sistem të avancuar të faturimit për klientët. Më pas, u angazhua për gati 5 vjet si inxhiniere në Denim Group, ku u shërbeu klientëve të mëdhenj si qeveria amerikane dhe kampionati Ultimate Fighting. Në ndërkohë, Teuta punoi si konsulente edhe për kompaninë Google.
Çdo klient kishte kërkesat e veçanta, por të gjithë përballeshin me një sfidë të përbashkët: të dhënat e tyre rrezikoheshin nga sulmet dashakeqe. WikiLeaks kishte arritur të shtie në dorë mijëra dokumente të klasifikuara të qeverisë, sulmuesit kishin prekur listat e votuesve dhe plaçkitësit kishin depërtuar brenda institucioneve financiare. Kjo e shtyri Teutën të profilizohej si inxhiniere e sigurisë kibernetike, që do të zbulonte zbrazëtitë në teknologji para se sulmuesit t’i keqpërdornin ato.
“Puna është emocionuese dhe intriguese. Duhet me mendu jashtë kornizave kur je duke vepru si haker,” thotë Teuta. “Sot, gati çdo gjë, nga veturat e pajisjet mjekësore e deri te termocentralet, punon me aplikacione softverike. Këto gjëra janë shumë të rrezikshme nëse bien në duart e gabuara.”
Në një intervistë dhënë gazetës së universitetit ku u diplomua, Teuta shpjegoi se brenda një viti “ka pasë rreth 450 miliardë dollarë humbje shkaku i vjedhjes së të dhënave. Krimi kibernetik po kthehet në luftë mes shteteve, dhe këtë çështje duhet ta trajtojmë tani në nivel botëror. Interneti është i hapur për këdo, dhe hakerët mund ta përdorin si armë për manipulim dhe kontroll, andaj është me rëndësi të bëjmë çdo gjë të mundshme me i parandalu.”
Në nëntor 2017, Teuta la Teksasin, shtetin ku kishte kaluar një dekadë, për të marrë një punë të re në San-Francisko, në Luginën e Silikonit të Kalifornisë, djepin e teknologjisë informative. Tani Teuta është inxhiniere e sigurisë së produkteve për kompaninë Microsoft.
Dhe ndonëse e re në gjigantin e softverit, puna e saj është shpërblyer dhe Teuta është shquar ndër kolegët e vet. Në verën e 2018-ës, me grupin e saj zuri vendin e parë në garën botërore për blockchain — “World Blockchain Hackathon at the Blockchain Economic Forum”. Si gara, ashtu dhe puna e grupit të Teutës ka karakter global: ata zhvilluan një platformë për të luftuar korrupsionin dhe për të nxitur transparencën në organizatat jofitimprurëse.
Përveç punës në Microsoft, Teuta është përkushtuar të edukojë të tjerët për kërcënimet e sigurisë dhe praktikat më të mira, përmes ligjëratave, shkrimeve dhe mentorimit. Falë kontributit të saj në industri, ajo është ndër finalistet e nominuara për çmimin “Kampione e Sigurisë”, shpërblim prestigjioz që jepet në kuadër të programit “Women in IT Awards” apo Çmimet për gratë në teknologjinë informative.
Teuta beson se shoqëria duhet t’i inkurajojë vajzat e gratë që të zgjedhin një karrierë në shkencë e teknologji. “Sa më shumë gra që kemi në fushën e teknologjisë dhe shkencave ekzakte,” thotë ajo, “aq më mirë do të jetë ekonomia globale. Vajzat duhet me i inkuraju qysh në fëmijëri, dhe me i tregu se teknologjia e inxhinieria nuk janë vetëm për djemtë.”
Së fundmi, një shkrim i inxhinieres kosovare është përfshirë në librin “Tribe of Hackers” (Fisi i hakërreve). Në këtë botim, 70 profesionistë me nam botëror, siç janë David Kennedy, Wendy Nather e Lesley Carhart, ndajnë përvojat dhe këshillat e tyre rreth teknologjisë.
Këtë muaj, Teuta ligjëroi në konferencën më prestigjioze të grave në teknologji, “Women of Silicon Valley 2019”. Ekspertën e çmuan lart kumtesën e saj rreth sigurisë kibernetike dhe mundësive për ta mbrojtur njerëzimit nga inteligjenca artificiale gjatë dekadës që vjen.