Ndonëse ende nuk janë numëruar të gjitha votat e zgjedhjeve që janë mbajtur sot për Parlamentin e Kantonit të Cyrihut, albinfo.ch merr vesh se kandidatja më serioze në mesin e politikanëve me rrënjë shqiptare, Qëndresa Sadriu nga Partia Socialdemokrate, ka arritur kuotën e nevojshme. Pra, ajo prej sot është deputete në Parlamentin e Kantonit të Cyrihut, shkruan albinfo.ch Me këtë arritje, Qëndresa bëhet e para shqiptare në përgjithësi e zgjedhur në Parlamentin e Kantonit të Cyrihut, më të madhit dhe më të rëndësishmit në vend.
Bazuar në numërimin e votave të deritashme ajo ka grumbulluar 4320 vota.
Qëndresa Sadriu, ka kryer zanatin (Lehre) si asistente dentale, pastaj ka mbaruar edhe maturën ndërsa ka filluar studimet për shkencat sociale në PH (Shkollën e Lartë Pedagogjike) në Cyrih.
Në shtator të vitit që shkoi, Qëndresa ka filluar praktikën në shoqatën humanitare, “Sozialwerke Pfarrer Sieber”.
Qëndresa Sadriu ka qenë pjesë e jetës politike në komunën e saj dhe më gjerë qysh si vajzë 19 vjeçe, shkruan albinfo.ch. Në vitin 2015 ajo kishte kandiduar edhe për deputete në Parlamentin Nacional të Zvicrës dhe, ndonëse nuk kishte arritur qëllimin, kishte fituar më së shumti vota në mesin e kandidatëve të tjerë shqiptarë