Gjilan, 19 qershor 2018 – Në konferencën me gazetarë drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Sami Spahiu, ka paraqitur punën që është bërë në këtë periudhë të vitit dhe planifikimin e punëve që kanë për të ardhmen në funksion të sigurisë publike, intervenimit gjatë vërshimeve dhe planifikimit për menaxhimin e situatës gjatë muajve të nxehtë të verës kur rastet e zjarreve janë të mundshme.
Spahiu ka thënë se gjatë kësaj periudhe janë përballur me reshje të shiut, në dy raste pak më të theksuara, që janë për tu veçuar për shkak se uji ka depërtuar në raste të ndryshme në disa shtëpi në qytetin e Gjilanit, por, siç ka thënë ai, përpos dëmeve materiale nuk ka pasur rrezikim të jetës së njerëzve.
Në rastin e reshjeve të shiut të cilat kanë ndodhur javën e kaluar ai ka thënë se fatmirwsisht nuk ka dëmtim të kulturave bujqësore që është poashtu e një rëndësie të veçantë për bujqësinë në Gjilan.
Ai ka falënderuar shërbimin e zjarrëfikësve dhe të gjitha drejtoritë Komunale të cilat janë angazhuar për tejkalim të situatës dhe kthimin e saj në normalitet.
Drejtori Spahiu ka potencuar se në këtë fazë kanë ndërmarrë fushatën vetëdijesuese për parandalimin e zjarreve fushore dhe pyjore me moton “Mos ndiz zjarr që shkakton rrezik të përgjithshëm”, ku, sipas tij, pretendohet që zjarret të jenë gjithnjë në rënie në bashkëpunim edhe me qytetarët dhe me organet e rendit dhe sigurisë.
“Në këtë fazë si Drejtori kemi ngritur edhe nivelin e mobilizimit të stafit, të zjarrëfikësve dhe gjithashtu edhe Shërbimit Vullnetar të Zjarrfiksëve, që gjithnjë janë në mbështetje të intervenimeve kur ato janë me përmasa më të mëdha”, tha Spahiu.
Ai ka bërë të ditur se inspektori që merret me fatkeqësitë natyrore dhe fatkeqësitë tjera, ka bërë vizitë në vlerësim të rrezikshmërisë për disa objekte siç janë shtëpi të vjetra mundësi për shembje dheu etj dhe janë krijuar plane se si është mënyra më e mirë e menagjimit të këtyre rasteve.
“Edhe sa i përket pajisjeve për mbrojtje nga zjarri është punuar me shumë kujdes nëpër objekte të ndryshme publike, si nëpër shkolla, objekte të mjekësisë familjare dhe objekte të tjera në mënyrë që të shmanget çfardo lloj rreziku në këtë aspekt”, tha ai.
Drejtori Sami Spahiu, ka apeluar te qytetarët e Gjilanit që të jenë të kujdesshëm dhe të mos bëhet asnjë inicim i zjarreve fushore, sepse ngritja e temperaturave shkakton rrezik të përgjithshëm.