Të dielën me fillim nga ora 15:30 zhvillohet derbi më i madh lokal në vendin tonë. Gjilani dhe Drita zhvillojnë derbin numër 27-të pas luftës, por këtë ndjesi nuk do të kenë mundësi ta shijojnë dy futbollistë, shkruan Gazetasheshi.com.
Fjala është për Ledjon Muçajn e Gjilanit dhe Liridon Lecin e Dritës, ndërkohë në pikëpyetje mbetet ende paraqitja e Betim Haxhimusës.
Mesfushori Muçaj i cili është rikthyer ditë më parë në seanca stërvitore do vazhdojë të mbetet jashtë planeve të Sadat Pajazitit edhe për një kohë për shkak të frakturës së pësuar në dorën e majtë që nga dueli i javës së pestë ndaj Ballkanit.
Në kampin bardhekaltër mungesë e rëndësishme pritet të jetë ajo e Liridon Lecit. Mbrojtësi i krahut të majtë është ndëshkuar me karton të kuq në duelin e fundit kampional ndaj Prishtinës ndaj edhe pritet ta humbasë këtë sfidë.
Përpos Lecit te Drita mund të mungojë edhe sulmuesi Betim Haxhimusa. Sulmuesi ferizajas mund të humbasë sfidën e parë ndaj ish-skuadrës për shkak të një zgjatje muskulare edhe pse gjatë ditëve në vazhdim do të bëhet e ditur nëse autori i katër golave në derbi do jetë i gatshëm për këtë sfidë apo jo.