Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri ka paraqitur para Kuvendit Komunal raportin e punës për periudhën janar-qershor të këtij viti, ku fillimisht ka nënvizuar faktin se ky gjysmëvit karakterizohet në përgjithësi nga pandemia COVID-19, ku sfidë kryesore ka qenë ruajtja e shëndetit publik dhe të ekonomisë.
Komuna e Gjilanit për gjysmë viti ka humbur 788 vende të punës për shkak të pandemisë, prandaj kryetari i kësaj komune, Lutfi Haziri, ka kërkuar që aktivizimi i pakos financiare është urgjente.“Fatkeqësisht, ekonomia e Gjilanit ka humbur 788 vende të punës në kohë pandemie, prandaj aktivizimi i pakos financiare është urgjente”, ka thënë Haziri.
Sipas hulumtimit të zhvilluar nga komuna dhe AZHR Lindje, ka një rënie prej 23 për qind të numrit të gjithmbarshëm të punëtorëve tek kompanitë e anketuara, kryesisht bizneset e mëdha dhe të mesme.E njëjta situatë është deklaruar edhe nga bizneset e vogla, shkruan Gazeta Express.
46 për qind e bizneseve kanë deklaruar rënie të nivelit të shitjes prej 90-100 për qind dhe vetëm 1 për qind e bizneseve të anketuara kanë deklaruar se niveli i shitjes ka qenë i njëjtë.Sa i përket buxhetit, Haziri ka tha se shuma e planifikuar për vitin 2020 ka qenë mbi 27 milionë euro, derisa nga grantet dhe mjetet vetanake e kalon shumën prej 29 milionë euro.
“Na gëzon fakti që komuna e Gjilanit, nuk ka borxhe”, ka thënë Haziri, duke shtuar se raporti i përmban në hollësi të gjitha aktivitetet, sipas sektorëve.Kuvendi ka diskutuar edhe rreth raportit të auditorit të përgjithshëm për pasqyrat financiare të vitit 2019, ku Komuna e Gjilanit ka marrë vlerësim pozitiv nga ky institucion i lartë i kontrollit ekonomik dhe financiar.