Nga viti i ardhshëm në arat e Gjilanit do të kultivohet duhani
Gjilani ka traditë në kultivimin e kulturës së duhanit, ndërsa rikthimi i kësaj kulture në arat e gjilanasve do të përmirësojë punimin e tokës dhe jetesën e familjeve.
Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, ka paralajmëruar rikthimin e kulturës së duhanit në arat e Gjilanit, dhe për këtë ka premtuar mbështetje të bujqëve.
Haziri ka bërë të ditur se nga viti i ardhshëm Komuna e Gjilanit së bashku me Qeverinë e Kosovës do të fillojnë subvencionimin e kulturës së duhanit, që do të ndikojë në rritjen e të punësuarëve dhe punimin më të madh të tokës.
Dikur Gjilani ishte kultivues i njohur i duhanit, madje eksportues i cigareve të njohura. Atë kohë nga duhani i arave te Gjilanit e Anamoravës janë prodhuar cigaret e njohura “Bozhur”, shumë popullore në Kosovë, “Dunhill”, e cila është shitur në tregun e brendshëm dhe të jashtëm.
Industria e Duhanit “Boris Kidriç” në Gjilan është themeluar me 1945, ka punësuar rreth 1400 punëtorë, ndërsa cigaret më të njohura kanë qenë “Bozhur”, Dunhill” edhe për tregun e jashtëm, e disa lloje të tjera për tregun e brendshëm.
Në Kosovë, për një vit hyjnë rreth 3 mijë e 500 tonelata duhan. Në bazë të këtyre statistikave të Doganave të Kosovës, del se qytetarët harxhojnë rreth 150 deri në 200 milionë euro për një vit për konsum të duhanit. Kurse për një person, mbi bazën e llogaritjeve, nëse ai shpenzon një pako cigare në ditë, del se shpenzimet e tij vjetore arrijnë shumën minimale prej 600 euro. (Statistikë e vitit 2017).