Gjilan, 29 nëntor 2016 / Komuniteti për Komunitete ka miratuar të martën raportin e Zyrës për Komunitete dhe Kthim (ZKK), për muajin tetor të këtij viti si dhe Planin Komunal të Veprimit për të Zhvendosurit, të cilët i ka prezantuar Milivoje Zhivkoviq, shef i Zyrës.
Kemal Shahin, kryesues i kësaj trupe komunale, ka thënë se bëhet fjalë për një raport të mirë dhe të qartë sa i përket kthimit dhe riatdhesimit, përkatësisht për një plan veprimi ku konfirmohet përkushtimi i Komunës së Gjilanit për të ofruar një mjedis të sigurt për kthimin e të zhvendosurve dhe integrimin e tyre socio-ekonomik.
Hollësi nga raporti i punës ka paraqitur Milivoje Zhivkoviq, shef i ZKK, i cili ka thënë se në këtë periudhë, në procesin e kthimit, kemi pasur një kërkesë, ndërkaq sa i përket riatdhesimit, sipas evidencës së MPB të Kosovës, janë kthyer 18 familje.
Kthimi duhet të dëshmohet me dokumentacion përkatës, në mënyrë që të kthyerit të përfitojnë nga programet që janë të dedikuara për këtë kategori.
Familjet e riatdhesuara, qoftë në mënyrë të vullnetshme, qoftë me detyrim, kanë ardhur nga Gjermania, Franca dhe Zvicra dhe të gjitha janë shqiptare, ka thënë Zhivkoviq.
Sa i përket planit të veprimit për të zhvendosurit, që duhet ta ketë çdo Komunë, ai ka theksuar se Gjilani është ndër komunat e para që e ka hartuar këtë plan. Plani i veprimit ka për qëllim të ndihmojë Komunën në përmbushjen e obligimeve të veta në procesin e kthimit dhe të ri-integrimit, ka thënë Zhivkoviq.
Ibish Ibishi (AAK) ka thënë se plani i veprimit është vazhdimësi e punës së deritashme të institucioneve komunale, në këtë proces, e cila nuk ka munguar as deri tani.
Fadil Demiroviq ka kërkuar zgjidhje sa i përket çështjes së banimit të një familje rome, që është kthyer nga Maqedonia dhe ndërkohë asaj i është bashkëngjitur edhe një pjesë e familjes nga Mali i Zi, të cilat nuk po mund të përfitojnë shkaku i problemeve me pronën.
Zhivkoviq ka thënë se kriteri kryesor për të ndihmuar një familje të kthyer në ndërtimin e shtëpisë, është zgjidhja e kontestit pronësor, që në rastin konkret është problematik, meqë familjarët kanë probleme mes vete.
Zyra për Informim
Gjilani ka hartuar planin komunal për kthimin e të zhvendosurve
Ndani këtë artikull