Komuna e Gjilanit ka mbështetur Komunën e Novobërdës me një donacion të dedikuar për sektorin e shëndetësisë.
Donacioni përfshin një kombi-ambulancë, dy shtretër elektrikë dhe pajisje të klimatizimit, të cilat do të shërbejnë në përmirësimin e kushteve dhe ofrimin e shërbimeve shëndetësore për qytetarët e Novobërdës.
Gjatë takimit ndërmjet kryetarit të Gjilanit, Alban Hyseni, dhe nënkryetarit të Komunës së Novobërdës, Abdyl Gashi, është diskutuar edhe për mundësi të reja bashkëpunimi ndërmjet dy komunave, veçanërisht në fushën e shëndetësisë, por edhe në fusha të tjera me interes të përbashkët.
Nënkryetari Gashi ka falënderuar kryetarin Hyseni për mbështetjen dhe gatishmërinë për bashkëpunim, duke theksuar rëndësinë e koordinimit ndërmjet institucioneve lokale.
Bashkëpunimi ndërmjet komunave synon të sjellë shërbime më të mira dhe rezultate konkrete në funksion të qytetarëve./Radio Star/










