Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, pas takimit me Komitetin për Emergjenca, në konferencën për media, ka paraqitur vlerësimin e gjendjes dhe menaxhimin e situatës përkundër që gjatë mbrëmjes janë konfirmuar 14 raste të reja në Gjilan.
Ai ka thënë se nuk ka vend për shqetësim, sepse gjendja nën kontroll me një gatishmëri të lartë profesionale të ekipit të gjerë që po merret me parandalim në interval kohor 24 me 7.
“Ne arritëm që ta ulim lakoren e infeksionit gati në pikën zero, por burimi i fundit i infeksionit i ardhur nga një klinikë private në Prishtinë, ka bërë që një infermiere dhe lehonë të dalin me rezultat pozitiv dhe si pasoj të kemi edhe 14 infektuar në natën e mbrëmshme. Aktualisht kemi 26 raste active me Covid-19. Sot janë marrë mostrat edhe për 67 qytetarë të Gjilanit dhe rezultatet do të tregojnë pasqyrimin real të gjendjes”, ka thënë kryetari Lutfi Haziri.
Haziri ka njoftuar se nënkryetari Arbër Ismajli dhe ekipi i gjerë i Qendrës Rajonale të Shëndetësisë Publike, kanë vizituar sot të
gjitha rastet e prekura me këtë virus dhe konfirmojnë se gjendja e tyre është me simptoma të lehta.
Ai ka apeluar tek qytetarët që të vazhdojnë me masa mbrojtëse, duke bartur maska e dorëza dhe duke e ruajtur distancën me fokus maksimal në higjienë.