Gjilani ka bërë historinë. Për herë të parë do të luaj në Evropë, në kualifikimet për Europa League, ngase në ndeshjen vendimtare ka mundur Flamurtarin me rezultat 0:1.
Keita Razak ka qenë njeriu i ndeshjes, ai që e kishte shpëtuar Gjilanin edhe në ndeshjen kundër Ballkanit.
Në një ndeshje të dominuar tërësisht nga Gjilani, në pjesëlojën e parë kuq e bardhët i kanë patur disa raste të mira shënimi, por pa mundur të shënojnë.
Goli i vetëm është arritur në minutën 73, kur pas një harkimi të Plakut, topi erdhi deri te Razak, i cili bukur e ndali topin dhe me gjuajtje të furishme në këndin e portierit shënoi për rezultatin 0:1.
Flamurtarit iu përkeqësuan punët në minutën 85, kur Stullqaku u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë dhe u desh që të largohet nga loja.
Edhe pas shtatë minutave shtesë rezultati nuk ndryshoi dhe me plot meritë Gjilani shënoi fitore, kurse Flamurtari u largua nga Superliga e Kosovës.