KUSH E FITON GJILANIN KËSAJ HERE?
Garën për kryetar të komunës sipas shijes time dhe sipas vlerësimit tim e ka të fituar edhe kësaj radhe Alban Hyseni i LVV. Kjo, gjithnjë sipas meje, është e mirëseardhur sepse ky kandidat ka treguar seriozitet, ka treguar vullnet për punë e për zhvillim përkundër shumë pengesave që i gjeti dhe që i dolën në rrugë. Me vazhdimin e tij në krye të komunës poashtu ruhet kontinuiteti në qeverisje e në zhvillim dhe ky kandidat e ka rastin me tregue krejtë çka din e çka mundet brenda këtyre tetë viteve që janë plotësisht të mjaftuedhme. Ky kandidat, sipas të gjitha njohurive të mia, i ka gjasat e mëdha që të kalojë pa balotazh (në raundin e parë) por, edhe nëse kjo nuk ndodhë ai do të jetë i pari me pak ndër 50% të votave të votuesve të Gjilanit dhe me diferencë të madhe nga kandidati i dytë (cilido qoftë ai).
Këtë që e thash e bazoj në ato “zhvillimet” tetëvjeçare të LDK në pushtet e të PDK në opozitë, në trashëgiminë katastrofike që e gjeti LVV dhe në angazhimin e Alban Hysenit në katër vitet e kaluara (fillimisht edhe me PDK e pastaj e vetme).
Përkundër që duhet bërë një analizë të gjatë e gjithpërfshirëse për krejtë spektrin politik në Gjilan unë po e vazhdoj kësaj radhe me aktualitetin zgjedhor 2021:
Gara e subjekteve dhe iniciativave politike për Gjilanin ne kuptimin joformal ka filluar që moti por shfqja para publikut të komunës e të vendit përgjatë këtyre 29 ditëve të fushatës zyrtare na i ka sqarue disa nga të panjohurat brenda subjekteve që garojnë sikur edhe te kandidatët për kryetar të komunës.
Siç është e njohur, në garë për kuvendin e komunës ishin më shumë subjekte e iniciativa politike ndërsa për të parin e komunës garuan vetëm 5 kandidatë për kryetarë: Alban Hyseni nga LVV, Arbër Ismajli nga LDK, Riad Rashiti nga PDK, Nazim Gagica nga AAK dhe Isa Agushi nga BNA.
Është shumë e rëndësishme t’i njohim pozicionet fillestare prej të cilave e kanë nisur garën kandidatët për kryetar të komunës në këtë garë.
Përderisa Alban Hyseni nga LVV garën e nisi me një autoritet tashmë të konsoliduar të një lideri lokal të ri në moshë i cili përkundër trashëgimisë së rëndë nga LDK e Lutfi Haziri, tregoi etikë dhe sjellje dhumë të mirë njerëzore e politike si kryetar dhe tregoi angazhim të përhershëm gjatë katër viteve (edhepse qytetarët shprehen se kanë pritur edhe më shumë nga ai), kjo nuk mund të thuhet për të tjerët në konkurrencë sepse asnjëri prej tyre nuk e ka patur rastin që të jetë deri më tani në rolin e tij. Subjekti i tij politik i kishte 10 ulëse në kuvendin e komunës e që ishte fare pak për ta krijuar një shumicë sado të brishtë në kuvend andaj edhe pas prishjes së bashkëpunimit me PDK ky kuvend u bë njëra nga pengesat themelore për t’a shty agjendën e tij përpara dhe kjo Albanit i shkruhet si e metë pavarësisht se për çka dhe si u prish “kurora” mes LVV dhe PDK. Nuk ishte aspak e lehtë që në rrethanat e krijuara të Gjilanit me e komponue një shumicë stabile e funksionale kur meret parasysh jazi tepër i thellë dhe i gjërë mes subjekteve “të vjetra” dhe LVV-së si subjekt që e udhëhoqi komunën për herë të parë.
Albani tashmë është i njohur për qetësinë e natyrshme, për njohuritë e shumta që i ka për procesin në komunë, për inteligjencën e mpreftë, për shkathtësinë e reagimit të shpejtë dhe për artikulimin e tij të shkëlqyer e që sipas asaj që u manifestua gjatë kësaj fushate, nuk mund të thuhet poashtu për kandidatët e tjerë anipse ndonjëri ishte nënkryetar i komunës e dy të tjerë drejtorë në një ose në dy mandate.
Në fillim të fushatës, gara ishte interesante dhe me një kulturë dhe gjuhë të pranueshme të debatit por pastaj, me kalimin e ditëve duke debatuar nga një studio televizive në tjetrën diskursi gjuhësor dhe ai programor u degradua dhe u lëshua në rrafshin e ktitikës shpesh joparimore nga oponentët e kryeyarit të tanishëm Alban Hysenit.
“Asgjë nuk u punua për këto ktër vitet e qeverisjes tënde…”, “Ti din veç me llomotitë…”, “Ti din veç me manipulue me publikun…”, “Marre duhet me të ardhë…”, “Ti po rren…” etj. Ishin këto fjalitë e shpeshta e të përsëritura nga oponentët e Alban Hysenit të cilët e shprehnin ambicien dhe vullnetin për ta sfiduar atë përgjatë debateve por edhe nuk mund ta fshihnin asësesi nervozizmin irraciomal dhe frustrimin që e manifestonin ndaj tij dhe ndaj LVV.
Përderisa Alban Hyseni i LVV e ruajti qetësinë dhe urtësinë gjatë paraqitjes sē programitë të tij zgjedhor dhe gjatë reagimit, replikave dhe përgjigjeve përgjatë krejtë fushatës, të tjerët e “granatonin” atë shpesh me tensionim dhe me kualifikimet e skajshme denigruese që i thash më lartē e të cilat ju shkaktuan dëm pikërisht vetë rivalëve të Hysenit.
Kur thuhet “Qe katër vite ti ske punue asgjë…” dhe vet ke qenë rreth 20 muaj në qeverisje të përbashkët me kryetarin Hyseni, ska se si kuptohet ndryshe përveç se ke probleme me ambicien irracionale dhe me sikletin tënd të brendshëm. Nëse kësaj i shtohen milona investime në projekte të vogla e të mesme që janë realizuar ose janë në zhvillim e sipër në tërë hapsirën e komunës atëherë kjo qasje e rivalëve të Hysenit vërtetë bëhet e pakuptimtë dhe nuk don asnjë koment. Natyrisht që Alban Hyseni dhe qeverisja e tij ka patur edhe të meta e ndonjë dështim (sidomos te premtimet e mëdha e pa e njohur brendinë e projekteve dhe të qeverisjes në tërësi) por kjo do të duhej me u kritikue me qetësi dhe me gjuhën dhe kulturën e pranueshme poltike.
Ka dalluar deri diku qasja e kandidatit të AAK, Nazim Gagicës i cili ishte më i relaksuar dhe e pranonte dhe e vlerësonte punën e bërë për këto katër vite dhe kishte qasje goxha të moderuar kritike ndaj asaj që është premtuar e nuk është bërë ose ndaj asaj që ai mendonte se nuk është bërë më së miri.
Sa ju përket programeve zgjedhore, të gjithë kandidatët janë përpjekur që bashkë me profesionistët brenda e jashtë subjekteve të tyre t’i dizajnojnë më së miri që kanë ditur e mundur dhe natyrisht që tri subjektet më të mëdha, LVV, LDK e PDK dallojnë nga AAK dhe BNA si subjekte më të vogla në garë. Ky dallim bazohet në përvojat e udhëheqjes me komunën që tashmë i kanë LVV, LDK e PDK krahasuar me AAK e cila ishte disa mandate nē bashkëqeverisje dhe me BNA e cila është për herë të parë në garë.
Kandidati i PDK, Riad Rashiti ishte me plotë ambicie, ishte i motivuar plotësisht dhe i përgaditur (sidomos në fushën financiare) dhe e nisi mirë luftën për ta sfiduar kryetarin aktual Alban Hysenin por, qasja e tij krejtë mohuese për zhvillimet pozitive në komunë e ka dëmtuar mjaftë shumë. Mohimi edhe i qeverisjes së tij të përbashkët e të mirë me Alban Hysenin, kësaj qasje jo të duhur ia vuri kapakun.
Mirëpo, përkundër krejtë kësaj qasje dëmtuese, Riadi doli kandidati (që pas Alban Hysenit, i cili kishte shumë informacion për krejtë procesin në komunë) më i përgaditur dhe më sfidues se sa të gjithë të tjerët. Si i tillë edhe përflitet në publik dhe nëse nuk demotivohet ndërkohë, i ka gjasat e mira të vazhdojë e të ngritet në karrierën e tij politike. Krejtë kjo, nuk varet vetëm.prej tij por varet shumë nga rrethina dhe ambienti politik në të cilin ky e vazhdon punën politike. Problem këtij kandidati i bën kësaj radhe subjekti i tij goxha i “tkurrur” në zgjedhjet e kaluara lokale e që kur meren parasysh zhvillimet katërvjeçare në këtë subjekt dhe lista zgjedhore e propozuar pak ka gjasa që kjo gjendje të ndryshojë.
Sa i përket Arbër Ismajlit, kandidatit të LDK, vërtetë mbetet shumë për t’u dëshëruar. Përderisa e nisi mirë garën duke e shpalosur një ptogram të mirë e gjithpërfshirës për katër vitet e ardhëshme dhe ishte kritik racional, atij shpejtë i ra “kondicioni” dhe tregoi performancë të plogshtë. Ishte mohues, ishte edhe fyes në momente por edhe reflektoi njohje të paktë të zhvillimeve në komunë anipse ishte nënkryetar i saj për disa vite me radhë.
Hendikep i madh i tij ishte edhe qeverisja fort e keqe që e bëri LDK bashkë me Lutfi Hazirin dhe me vet Arbërin si nënkryetar në ato tetë vitet e shkuara. Në tryezën e debatit Arbërit i vinin “faturat” nga ajo periudhë tetë vjeçare të cilat LDK përveç që një pjesë prej tyre i pagoi në vitin 2021, do të vazhdojë ti paguaj patjetër edhe në këto zgjedhje.
Një nga përparësitë e Arbërit është subjekti politik që i kishte 14 vende në kuvendin e komunës dhe që mund ti jep votë të konsiderueshme kandidatit te vet por nëse meren parasysh rrethanat brenda LDK dhe listën “e renovuar plotësisht” me kuadro të reja por të panjohura për publikun, nuk duhet pritur aspak zhvillime shpresëdhënëse. Përkundrazi, pritet rënie e dukshme e fuqisë së këtij subjekti.
Kandidati i AAK, Nazim Gagica, e thash më lartë, ishte më i relaksuar se tre të tjerët dhe garën e bëri pa ndonjë ngarkesë të theksuar. Ky e bëri garën në stilin e asaj thënies tonë të urtë “Ha bukë e le vend për ujë…” sepse nuk e hatroi askend skajshëm dhe i la dyert e çelura për me negocijue me lehtësi për partneritet edhe me fituesin e garës por edhe me të tjerët. Ky kandidat kishte performancë të pranueshme por që dëmtohet gjithësesi nga trupi i vogël elektoral i subjektit prej nga vie.
Isa Agushi nga BNA e mbajti kondicionin nga fillimi e deri në fund të garës dhe reflektoi sinqeritet te theksuar te premtimet e tij por edhe ky kishte qasje teper mohuese ndaj krejte zhvillimeve në komunë me një ndryshim nga Riadi i PDK: Përderisa Riadi mohonte çdo punë e investim për këto katër vitet e fundit, Isa i mohonte edhe zhvillimet e tetë viteve të LDK. Si kandidat me iniciativë të re qytetare ishte mjaftë luftarak dhe simpatik. Sipas shijes time, Riadi, Arbëri e Isa ishin ardhje të reja në këtë konkurrencë dhe e pasuruan fushatën zgjedhore e cila, e them me përgjegjësi, do të duhej të jetë më e fortë, më e qartë dhe më e mirë për Gjilanin. Kjo është varuar shumë edhe nga mediat të cilat shpesh e kanë koncipuar jo mirë rrjedhën e debateve duke i dëmtuar edhe vet kandidatët.
Përndryshe që të gjithë e kanë bërë maksimumin me tubimet nëpër strukturat e tyre dhe me takimet e shumta e të ngjeshura në terren me të gjitha shtresat e përfaqësimet e shoqërisë.
Nesër votojmë për dy organet më të rëndësishme të komunës – për kryetarin e komunës së Gjilanit dhe për kuvendin e komunës. Njëri nga kandidatët do të jetë i pari. Pavarësisht se cili e fiton garën, pa balotazh ose me balotazh, të gjitha subjektet politike dhe liderët e tyre lokalë duhet të tregojnë kulturë të lartë dhe të ndërtojnë lehtë dhe shpejtë një partneritet të qëndrueshëm për qeverisje dhe një tjetër partneritet poashtu të fortë në opozitë e cila e sfidon dhe e korrekton pushtetin në mënyrë efikase e permanente gjatë katër viteve të ardhëdhme.
Urimet më të mira nga unë për të gjithë qytetarët e komunës së Gjilanit. Uroj që nesër sa më shumë votues të dalin në zgjedhje dhe procesi zgjedhor të jetë i qetë dhe plotësisht i lirë, demokratik dhe i suksesëshëm.
Uroj poashtu që brenda katër viteve të ardhëshme të jemi të gjithë të zgjuar, të gatshëm e aktiv për ta ndihmuar qeverisjen dhe zhvillimin e komunës por edhe pêr ta kritikue e për ta sfidue pa hezitim kur ajo plogështohet dhe nuk u rrin karshi kërkesave të qytetarëve tanë.
Gëzuar!
Autori i shkrimit: Ish-kryetar i Gjilanit dhe Partisë Demokratike të Gjilanit, Qemajl Mustafa