Gjilani pritet të jetë nikoqir i një ngjarjeje të rëndësishme ndërkombëtare sportive, pasi në qytet do të organizohet Kampionati Botëror i Muay Thai për vitin 2027.
Këtë e ka bërë të ditur kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, pas takimit me kryetarin e Federatës së Muay Thai të Kosovës, Shpejtim Ahmetaj, dhe trajnerin gjilanas të Muay Thai-t, Valmir Hoti.
Hyseni ka deklaruar se Komuna e Gjilanit është e gatshme të mbështesë organizimin e këtij eventi, i cili synon t’i japë qytetit një dimension të ri në skenën ndërkombëtare përmes sportit.
Sipas tij, organizimi i kampionatit është rezultat i punës së klubeve sportive dhe mbështetjes së vazhdueshme të komunës për sportistët dhe zhvillimin e projekteve të mëdha sportive.
“Jemi gati të mirëpresim në Gjilan sportistë nga mbarë bota”, ka shkruar Hyseni.
Kampionati Botëror i Muay Thai pritet të sjellë në Gjilan sportistë dhe delegacione nga vende të ndryshme të botës, duke e vendosur qytetin në qendër të një ngjarjeje të rëndësishme sportive ndërkombëtare.










